Qeveria për vazhdimin e dialogut: Prioritet tani është adresimi i pasojave të sulmit në Banjskë

Qeveria e Kosovës ka deklaruar të premten se prioritet urgjent është adresimi i pasojave të sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

I pyetur lidhur me vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se sulmi i sponsorizuar nga Serbia ka sjell një situatë krejtësisht të re.

Kryeziu tutje është shprehur se ajo çka ka ndodhur me 24 shtator në fshatin Banjskë ka qenë cenim i sovranitetit shtetëror, integritetin territorial dhe sigurisë kombëtar, si asnjë herë më parë prej përfundimit i luftës.

“Tani kemi një situatë krejt të re me prioritete tjetra urgjente e që kanë të bëjnë me adresimin e pasojave të sulmit terrorist të sponsorizuar nga Serbia. Ajo çka është e domosdoshme të ndodhë aktualisht është garantohet siguri për Kosovën dhe vendosen sanksione për Serbinë”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë.

Sipas Kryeziut, gjatë gjithë kohës Republika e Kosovës ka qenë palë e gatshme për dialog dhe marrëveshje, por ka shtuar se një proces i mirëfilltë i dialogut kërkon minimumin e standardit të mirëbesimit të ndërsjellë mes palëve.

“Sulmi terrorist, paramilitar dhe kriminal i datës së 24 shtatorit, ka vërtetuar se teksa në Bruksel zhvilloheshin takime për zbatim të Marrëveshjes Bazë që në qendër ka njohjen de-facto reciproke, Serbia po përgatiste plane për aneksimit të veriut”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e mori përgjegjësinë për sulmin rreth pesë ditë më vonë.

Më 3 tetor, Radoiçiqi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë.

Megjithatë, ai u lirua një ditë më vonë pasi gjykatësi refuzoi ta paraburgoste. /Telegrafi