Qielli i hapur, strehë e të mbijetuarve të Thumanës e të Durrësit

Tërmeti i së martës shoi mbi 40 jeta njerëzish. La nën trishtim e frikë qindra qytetarë, të cilët i mbijetuan tragjedisë së atij mëngjesi. 26 nëntori solli një tronditje të fortë shpirtërore te qytetarët e Shqipërisë. Thumana e Durrësi u goditën më së shumti, pamëshirshëm. Por dhimbja depërtoi në të gjitha trojet shqiptare. Në rajon. Në botë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Disa humbën familjarët. Më të dashurit e tyre. Shumë të tjerë mposhtën vdekjen. Mes vështirësive arritën t’u mbijetojnë dridhjeve të fuqishme që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Ia dolën të largohen nga gërmadhat, që solli tragjedia e së martës në Shqipëri, veçanërisht në Thumanë e në Durrës, shkruan tutje “Zëri”.

Por një numër tejet i madh i tyre mbetën pa kulm mbi kokë. Tash, pasi shtëpitë u janë shkatërruar, qindra qytetarë të Shqipërisë po i kalojnë netët nëpër tenda. Qielli i hapur është bërë streha e vetme për të mbijetuarit e fatkeqësisë, që këtë javë lëkundi Shqipërinë. Ata nuk po mundin ta mposhtin dot frikën. Frika tashmë është bërë e dyfishtë për këta banorë. Frikë për tërmete të sërishme e frikë se qielli i hapur do të mbetet gjithë jetën kulmi i strehimit për ta. Trishtimi shihet në sytë e tyre, teksa rrëfejnë tmerrin e përjetuar ditën kur tërmeti shoi dhjetëra jetë njerëzish.