Bajrami: Kurti po qeveris me propagandë, çështja e Kryeprokurorit tregues për punën e Osmanit

Kryeministri bashkë me partinë në pushtet po provojnë të operojnë në Qeveri me propagandë dhe po mundohen me të pavërteta t’i bindin qytetarët, thotë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami në një intervistë për Gazetën Express.

Ajo flet për statistikat, të cilat Kryeministri Kurti dhe Qeveria i transmetojnë ndryshe. Ish-ministrja tregon se çka do të bënte, po të ishte në vend të Hekuran Muratit tani, mes krizash. Dhe, Presidenten Osmani e sheh si bllokuese të proceseve dhe të dështuar në politikë të jashtme.

Deputetja e LDK-së, që është profesoreshë e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, flet përmes shifrave, të cilat ia rilexon Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti, sa herë që flitet për “rritje ekonomike”.

“FMN-ja ka bërë rivlerësime dhe thotë se rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2022 nuk mund të kalojë 2.7%. Në anën tjetër Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti 2.14%. S’ka video, s’ka propagandë, s’ka media që mund t’i demantojë këto fakte”, thotë deputetja.

Në vend të shpërndarjes së 250 milionë eurove, ish-ministrja e Financave rendit masat e tjera, që, sipas saj, do të kishin më ndikim, në gjendjen e tanishme.

Deputetja Bajrami flet për mungesën e investimeve kapitale dhe akuzon Qeverinë se po zhvlerëson rreth 700 milionë euro, duke i mbajtur në llogari.

Presidenten e vendit, ish-kolegen e saj të partisë, Vjosa Osmanin e sheh si bllokuese dhe e bën përgjegjëse për dështimin që, sipas saj, e ka Kosova në politikën e jashtme.

Intervista e plotë:

Pushteti në përgjithësi, veçanërisht Kryeministri, flet sistematikisht për rritje ekonomike, rritje të të hyrave, rënie të papunësisë. Dhe, ju vazhdimisht provoni ta demantoni. A ndiheni se qytetarët e lexojnë drejt situatën dhe e marrin versionin e saktë të gjendjes ekonomike në vend?

HB: Ky pushtet, ky Kryeministër bashkë me VV-në, sistematikisht kanë përdorur propagandën dhe të pavërtetat për të ardhur në pushtet. Dhe, Kryeministri bashkë me partinë në pushtet po provojnë të operojnë në Qeveri me propagandë dhe po mundohen me të pavërteta t’i bindin qytetarët. Ju kujtohet si deklaronte Kryeministri se “Kosova do të bëhet si Kroacia”.
Pra, Kryeministrin po e demanton realiteti, të cilin e jetojnë qytetarët çdo ditë. Kryeministrin dhe partinë në pushtet e dëmantojnë raportet nga institucionet kredibile siç janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës. Kjo e fundit nën obmrellën e Zyrës së Kryeministrit.
FMN-ja ka bërë rivlerësime dhe thotë se rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2022 nuk mund të kalojë 2.7%. Në anën tjetër Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti 2.14%. S’ka video, s’ka propagandë, s’ka media që mund t’i demantojë këto fakte.
Dhe, inflacioni, sipas BB është mbi 19 %, sipas Agjencisë së Statistikave 12.7% në muajin shtator. Natyrshëm, si rezultat i rritjes së çmimeve janë rritë të hyrat nga Dogana dhe ATK-ja. Qeveria ka marrë tatime e taksa nga qytetarët dhe bizneset dhe po i mbani në llogari, po i lë të zhvlerësohen.
Rreth 42 mijë qytetarë kanë ikur nga vendi vitin e kaluar. Sipas sondazheve të këtij viti çdo i dyti qytetar dëshiron të ikë nga këtu. Investimet kapitale me të ulëta që nga shpallja e pavarësisë ndërsa shëndetësia është përkeqësuar. Kemi pasur reduktime të energjisë elektrike në muajin gusht, dimri pritet të jetë tepër i vështirë, reduktimet e paevitushme gjatë dimrit do të jenë me kosto për qytetarët dhe do të shkaktojnë dëme shumë të mëdha te bizneset.

Ju e akuzoni Kryeministrin dhe akterë të tjerë të pushtetit që po manipulojnë me shifra dhe po propagandojnë. Ta zëmë se është kështu; a besoni se kjo do t’i funksionojë?

HB: Shkoni dhe vërtetojeni këtë nëpër familjet në secilin vend të Kosovës se a po i funksionin propaganda. Do të gjeni përgjigje se Kryeministri premtonte zvogëlim të çmimit të vajti dhe miellit dhe e gjeni përgjigjen te qytetarët se çka ka ndodhur me çmimin e vajit dhe miellit. Shkoni pyetni se a po bëhet Kosova si Kroacia dhe do të merrni përgjigje se jeta e njerëzve e secilit është duke u vështirësuar. Shpenzimet e jetesës së qytetarët nuk mund t’i paguajnë me deklarata të Qeverisë për rritje të pashembullt ekonomike.

Nëse ju do të ishit në vend të ministrit Murati në gjendjen ekzistuese, cilat janë dy tri vendimet kyçe që do t’i ndërmerrnit ndryshe? Cilat janë “gabimet” më të pafalshme të Ministrit të Financave, sipas jush?

HB: Ne jemi në opozitë dhe siç e dini Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdimisht ka dhënë rekomandime për adresim të inflacionit dhe krizës energjetike. Në fillim të vitit ne rekomanduam që të hiqet TVSH-ja, që ishte premtim i partisë në pushtet dhe i Kurtit veçanërisht, për produktet themelore dhe të largohet ose të reduktohet akciza për derivatet e naftës, pasi kjo nuk ndodhi ne kemi rekomanduar indeksimin e pagave dhe pensioneve për normën e inflacionit. Këto masa do të ishin shumë ma më ndikim se sa shpërndarja e 250 milionë eurove, ndikimin e të cilave as vet Qeveria nuk mund ta masë. Llogariteni nëse do të hiqej akciza për derivatet e naftës do të ndikonte në shumë produkte që mos të rritej çmimi.
Nuk ka transparencë. Janë shpërndarë mbi 230 milionë euro vitin e kaluar, 92 milion për energji këtë vit, një pako 100 milionë euro dhe një pako tjetër 150 milionë euro dhe ne nuk kemi parë ende një listë të top 50 përfituesve. Nuk di nëse ndonjë media është interesuar për të parë top 50 përfituesit e këtyre masave.

A mendoni që ministri Murati i ka duart e lira për të marrë vendimet në ministrinë që ai e drejton? Ose, a besoni se mënyra se si po veprohet me financa është autentike e tij?

HB: Më së miri duhet t’i bëhej një pyetje e tillë ministrit Murati sikurse të pyetej edhe për shumë çështje të tjera që nuk po ka përgjigje. Sidomos z. Murati duhet të japë përgjigje për mungesën e investimeve kapitale dhe për gati 700 milionë euro që po zhvleftësohen dhe po rrijnë në llogari të Qeverisë.

Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, Kryeministri dhe zëvendësi i parë i tij, e kanë cilësuar pozitiv, më saktë, ndër më të mirët që i janë bërë ndonjëherë Kosovës. Ju si e lexuat atë raport?

HB: Raporti nuk dallon shumë nga raportet e kaluara, nuk është që ka ndonjë progres. Raporti flet për ngecje në ekonomi. Në raport thuhet se në tremujorin e tretë të këtij viti: rritja e produktit të brendshëm bruto është ulë në 2.1%, kryesisht për shkak të rënies së investimeve totale me 16.8%; shpenzimet kapitale të Qeverisë janë zvogëluar me 30%, që është shkaktari kryesor i ngadalësimit të rritjes ekonomike; deficiti tregtar i mallrave është thelluar nga 51% në 53% të GDP; të hyrat buxhetore janë rritë për 15% për shkak të inflacionit dhe si rezultat suficiti buxhetor i Qeverisë arriti në 2.9% të GDP-së. Për me tepër ky raport thotë po citoj: “Mbi të gjitha korupcioni është i përhapur dhe mbetët shqetësim kryesor”. Kur jemi te reformat në drejtësi e potencon disa herë faktin se mekanizmat ekzistues nuk po shfrytëzohen sa duhet dhe gjithashtu përmend raportet dhe komentet e Komisionit te Venecias.

Ndër të tjera, Raporti i KE-së kritikon përformancën e dobët të Kuvendit, pa përjashtuar rolin e opozitës në këtë. Kush i ka fajet për ngecjet në këtë legjislaturë?

HB: Vetëm kohëve të fundit kemi parë një zhvillim demokratik edhe në Kuvendin e Kosovës kur disa deputetë të partisë në pushtet kanë nisur të kenë qëndrime në publik. Kuvendi nuk ka arritur t’i kërkojë llogaridhënie Qeverisë për shumë vendime dhe veprime që po e dëmtojnë shtetin. Deputetët e pozitës kanë shërbyer deri tash vetëm si makinë votuese, me tepër pak përjashtime, për gjithçka që Qeveria ka propozuar. Fajet për ngecje në punën e Kuvendit në gjithë vendet demokratike i ka shumica. Sepse shumica merr përgjegjësitë edhe për të udhëhequr me vendin por edhe për përformancën e institucioneve në rastin konkret të Kuvendin. Opozita në shumë raste kur është në pyetje qytetari e ka bërë kuorumin. Se s’ka llogaridhënie të Qeverisë në raport me Kuvendin veç shiheni çka është duke ndodhur me dialogun, kur deputetët nuk njoftohen për asgjë që është duke ndodhur, kur Kryeministri as nuk planifikon të vijë në Kuvend dhe as të japë llogari.

Një ish-zyrtar i lartë i LDK-së ka shkruar rishtas se si LDK-ja është kundër rrëzimit të Qeverisë. Nëse opozita vlerëson se Qeveria po dështon, a vlerësoni se është lloj kalkulimi qasja “ta lëmë që të gabojë”?

HB: LDK nuk është që të rrijë dhe t’iu duartrokasë çfarëdo vendimi të dëmshëm të Qeveris për shtetin e Kosovës. Kritika jonë është përmbajtjesore dhe për tema tepër specifike siç folëm deri më tash nisur nga dështimi në ekonomi, dështimi në arsim, dështimi në shëndetësi, dështimi në politikë të jashtme etj. Dhe, siç e keni parë në zgjedhjet lokale që u mbajtën pas atyre nacionale, LDK është e gatshme për zgjedhje në çfarëdo situate. Nëse kjo Qeveri e rrëzon vetën, rrëzohet nga dialogu apo i humbë numrat në Kuvend shkaku i ndarjes së deputetëve nga partia. Siç e dini, një pjesë e madhe e qeverive në këto 20 vjet, janë vetërrëzuar dhe mund ta ketë të njëjtin fat edhe kjo Qeveri.
Tani numrat në Kuvend dihen dhe të gjithë e dinë se Qeveria vazhdon për shkak se i ka numrat/votat jo ngase neve ose dikujt tjetër po i mungon vullneti me shku në zgjedhje. LDK respekton mandatin e dhënë nga qytetarët dhe ne me punën tonë me mjetet demokratike po përgatitemi që ta kthejmë besimin qytetar.

Matjet e opinionit publik tregojnë për rritje të LDK-së nga zgjedhjet e fundit. Megjithatë, VV është akoma partia e parë. A jeni ju e kënaqur me përkrahjen aktuale të partisë suaj dhe çka prisni deri në zgjedhjeve të ardhshme?

HB: Matjet e fundit tregojnë atë që ka ndodhur në zgjedhjet lokale në Kosovë, ku LDK doli partia e parë më numrin më të madh të komunave të fituara. Atë që e diskutuam më lartë, se qytetarët shpejt e kanë kuptuar se kjo Qeveri nuk ka zgjidhje për asnjë problem të këtij vendi. Dhe, natyrshëm qytetarët, që po i takojmë në secilin vend të Kosovës, po kërkojnë zgjidhje dhe jo fjalë të bukura e propagandë. Qytetarët po e kërkojnë LDK-në, po e kërkojnë platformën e LDK-së, po i kërkojnë njerëzit e LDK-së. Nuk po duan fjalë të bukura e propagandë por qytetarët po kërkojnë veprime dhe vendime që e përmirësojnë kualitetin e jetës së tyre.

Në fund, një pyetje për Presidenten. Si ju duket roli i znj. Vjosa Osmani në përgjithësi? A ka arritur ta ndajë Presidencën nga partia në pushtet?

Sa po e kryen rolin e saj të përcaktuar me Kushtetutë mund ta shihni te emri i Kryeprokurorit. Qe gjashtë muaj e ka emrin e Kryeprokurorit të Shtetit në zyrë dhe nuk e kthen mbrapsht dhe as nuk e dekreton. Pra, e ka bllokuar njërën prej pozitave më të rëndësishme në shtetin e Kosovës. Prej se ka marrë pozitën e Presidentes në prillin e vitit 2021 dhe prej ardhjes së kësaj Qeverie nuk kemi parë pothuajse asnjë rezultat në politikën e jashtme që është përgjegjëse edhe Presidentja. S’ka asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.