QKMF-ja në Vushtrri do të mbajë emrin e Dr. Safet Idrizit

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë sot njëzëri ka miratuar statutin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, përmes të cilit është bërë edhe emërtimi i kësaj qendre “Dr. Safet Idrizi”, shkruan Fokusi.info.

Pro këtij propozimi ishin të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal duke treguar kështu një unitet për veprën e Safet Idrizit si një mjek i shquar.

Propozimi për emërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare ishte bërë nga asamblisti i Lëvizjes për Bashkim, Nezir Klinaku në mbledhjen e datës 25 shkurt 2021 të kuvendit të komunës.

Idrizi ndërroi jetë vitin e kaluar nga Covid-19, dhe ishte deri në momentet e fundit në ndihmë të pacientëve me Covid-19.

Ai gjithashtu ka mbajtur një kohë edhe postin Drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në komunën e Vushtrrisë, si dhe ishte anëtar i kuvendit komunal për disa mandate.