Qorrolli: Në krye të qeverisë mund të vijë një teknokrat

Juristi Vigan Qorrolli ka thënë se opsion edhe pse jo i pëlqyer mund të jetë emërimi i një teknokrati në krye të Qeverisë për të evituar zgjedhjet e reja.

Qorrolli, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se pas dorëheqjes së Haradinajt ekzistojnë dy mundësi: zgjedhje të reja apo qeveri tjetër nga PAN.

“Koalicioni fitues i zgjedhjeve të fundit parlamentare ka të drejtë të propozojë një mandatar të ri dhe për këtë tre bartësit e koalicioni do të prezantojnë shumicën pasi kuvendi ende është funksional”.

Ai ka thënë se Presidenti nuk i ka në dorë zgjedhjet e reja pasi vetëm Kuvendi e ka këtë mundësi duke shpërndarë veten.

Qorrolli ka thënë se Qeveria tashmë është kujdestare dhe nuk mund të nxjerrë vendime të rëndësishme.

“Qeveritë kujdestare do ta mbajnë funksionin kryesisht të karakterit ceremonial deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se vendimet që mund të nxjerrë Qeveria nesër (premte) në të ardhmen mund të jenë potencialisht subjekt ankimimi nga palët e autorizuara për Gjykat Kushtetuese.