Qytetarët që vijnë nga këto shtete nuk mund të hyjnë në Kosovë pa test PCR negativ

Për shkak të pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës kohë pas kohe ka vendosur masa të ndryshme sa i përket parandalimit të këtij virusi.

Pas këtyre masave të reja për shkak të shtimit të rasteve, sigurisht që janë prekur edhe pikat kufitare dhe ajrore, sa i përket hyrje-daljeve për qytetarët që dëshirojnë të vijnë në Kosovë dhe jo vetëm.

Prandaj, janë disa shtete që Kosova aktualisht i konsideron me rrezikshmëri të lartë të infektimit me koronavirus.

Ato shtete janë: Gjermania, Danimarka, Qipro, Sllovakia, Spanja, Franca, Italia, Britania e Madhe, Holanda, Rumania, Belgjika, Çekia, Austria, Irlanda, Hungaria, Luksemburgu, Islanda, Sllovenia, Malta, Polonia, Kroacia, Lihtenshtajni, Portugalia dhe Bullgaria.

Pra, të gjithë qytetarët të cilët jetojnë në këto shtete, për të hyrë në Kosovë duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 72 orë ose duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

Ndryshe, numri total i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë që nga fillimi i pandemisë është 30.495 raste, ndërsa janë regjistruar 849 viktima.

Pjesa I: MASAT PËR TËRË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

1. Të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës (RKS), e që vijnë nga vendet me risk të lartë, sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:

1.1. Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;

1.2. Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qellim të daljes nëpër pikat ajrore, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe pikat tokësore, nuk ka nevojë për vërtetim për test RT- PCR negativ, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën që brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;

1.3. Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR negativ, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;

1.4. Për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare tranzite, nuk nevojitet testi RT-PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;

1.5. Shtetasit e huaj të cilët e kanë të rregulluar leje qëndrimin e përkohshëm ose përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet te paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë me së largu 72 orë para hyrjes në RKS;

1.6. Në rast të mos paraqitjes se dëshmisë së testit negativ, shtetasit e huaj obligohen të vetizolohen për 7 dite;

1.7. Diplomatët e huaj në RKS si dhe familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ;

1.8. Shtetasit e huaj të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucione shëndetësore në RKS, mund të hyjnë nëse paraqesin vërtetim për test TR-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS si dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali;

1.9. Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS mirëpo me adresë vendbanimi në një shtet tjetër, gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS ose të vetizolohen për 7 ditë në mungesë të testit RT-PCR.