Qytetarët të zhgënjyer me VV-në e LDK-në , thonë se këto parti nuk po mendojnë për popullin

0
146

Më 6 janar të këtij viti janë bërë tre muaj prej se janë mbajtur zgjedhjet nacionale në vend.

Tash e tre muaj ende nuk është arritur marrëveshje mes fituesit të zgjedhjeve Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së dytë, Lidhjes Demokratike të Kosovës për të bashkëqeverisur.

E më të zhgënjyerit me këto dy parti janë qytetarët e Kosovës, ata të cilët ia besuan votën atyre.

Qytetari Halit Gashi tha për Ekonomia Online se këto dy parti nuk mendojnë për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, ata mendojnë vetëm për përfitime të veta.

“Unë mendoj kjo marrëveshje nuk do të bëhet kurrë. Njerëzit që janë në marrëveshje LDK e VV, kanë qef çdo të mirë mjerisht Kosova pak të mira ka, t’i marrin vetë”, u shpreh ai.

Gashi thotë se është tradhtuar populli i Kosovës mirëpo një faj qëndron edhe tek vetë qytetarët pasi kanë votuar dikë që nuk e ka merituar.

“Faj ka populli së pari që është tradhtuar, ka votuar kënd nuk bën të votojë. Së dyti, kanë faj ata të cilët e kanë fituar por të cilët edhe e kanë trazuar Kosovën. Prandaj, ne duhet populli të qohet në këmbë e të thotë ndërprene. Nuk po duam as votime të reja, nuk po duam prej juve me formu qeverinë, por populli le ta formojë një qeveri të përkohshme vetë”, tha ai për Ekonomia Online.

Ngërçi politik ka kapur edhe Kosovën edhe Shqipërinë, kështu tha qytetarja Mimoza Abrazhda.

Sipas saj, nëse të dy partitë e duan popullin duhet të bëjnë marrëveshje sa më shpejt.

“Tani ky ngërçi politik na ka kapluar tërë vendin si këtu edhe në Shqipëri. Unë mendoj një keqkuptim një moskuptim ndërmjet dy partive, por nëse ata e duan popullin nëse duan vendin e tyre, duhet të bëjnë diçka patjetër. Mendoj që VV-ja duhet patjetër të vendosi se ka kuadro, edhe LDK-ja ka kuadro, nuk mund të them që nuk ka. Albini është i ri ne nuk e kemi provuar akoma dmth në udhëheqje, por gjithë këto sakrifica që ka bërë deri tani duhet të bëjë luftë akoma më shumë që populli t’ia shpërblejë, por edhe LDK-ja duhet të marrë një vendim tjetër” , u shpreh ajo për Ekonomia Online.

Situata politike në vend, po i prek edhe studentët.

Dëfrim Brajshori thotë se për shkak të kësaj gjendje në të cilën gjendet vendi ka pasur disa probleme.

“Shumë dokumente në Ministri na i neglizhojnë nuk punojnë, nuk ka kush i mbikëqyrë, nuk ecin procedurat vonohen për një dokument shumë të thjeshtë të vonon me javë, papërgjegjësi e madhe”, theksoi ai për Ekonomia Online.

Sipas tij, fajtor në këtë rast për situatën e krijuar në vend është LDK-ja.

“Ne mendojmë që fajtor është LDK-ja. Për shkak se shumë kushte, nuk është fituese e zgjedhjeve, besojmë se fituesi i zgjedhjeve i takon më shumë pozita”

Edhe Blerina Veseli, studente në Fakultetin e Arteve, tha se sistemi politik në Kosovë është më keq se që ka qenë më herët.

“Sistemi i politikës momentalisht në Kosovë, është më keq se sa ka qenë herëve të tjera të paktën e kemi ditë ku me u orientuar, tash nuk ki as ku orientohesh. Çdo herë jetojmë me shpresën sot janë duke dashur të bëjnë diçka, por asnjëherë nuk po bëjnë asgjë. Kemi shpresuar te zgjedhja e re e kandidatit për kryeministër, por shpresojmë të bëhet. Asnjëri nuk lëshon pe, Albini u nis që sa vjet për këtë qëllim, nuk e lëshon fronin, Isa e konsideron vetën babë të politikës, kështu që është shumë problem i madh”, tha Veseli”, thotë Veseli.

Ajo madje pati ankesa për kushtet në të cilat studiojnë.

“As një për qind të kushteve për studim nuk i kam, po më dhimbset vetja edhe të gjithë studentët për gjendjen aktuale të studimeve që po bëhen këtu, duke u nisur nga gjërat materiale, financiare”, u shpreh ajo.