Jashari: Gjykatën Speciale do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

Xhavit Jashari nga shoqata e dëshmorëve të UÇK-së, në emisionin “Debat” të RTK-së ka thënë se arrestimet dhe aktakuzat e Gjykatës Speciale nuk janë befasuese.

Sipas tij, organizatat e luftës së UÇK-së qysh në vitin 2015 kanë protestuar dhe kanë bërë thirrje që mos të votohet kjo Gjykatë.

“Në vitin 2015 ne kemi protestuar dhe iu kemi bërë thirrje deputetëve që mos ta votojnë këtë Gjykatë Speciale, këtë gjykatë të njëanshme. Se do të ndodhte kjo, këto arrestime të njerëzve kryesorë të UÇK-së, e kemi ditur, prandaj spektaklet e tilla janë të panevojshme”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, Gjykatën Speciale që ai e ka quajtur të keqe të madhe, e ka themeluar organi më i lartë i shtetit të Kosovës, Kuvendi.

“Ne e dimë që të gjitha këto veprime që po i bën Gjykata Speciale, duke i terrorizuar familjet e njerëzve të UÇK-së, janë pretendimet e një raporti të Dick Marty. Mendoj se me krijimin e kësaj Gjykatë është shkelur gjithçka, edhe Kushtetuta. Si ka mundësi të votohet një gjykatë e tillë vetëm për shqiptarët”, ka thënë Jashari.

Tutje ai ka shtuar se organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të inicojnë mbledhjen e nënshkrimeve nga deputetët e Kuvendit që ligjshmëria e Gjykatës Speciale të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.