Gashi thotë se për çështjen e presidentit vendimin përfundimtar e marrin deputetët e LDK-së

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do ta mbajë sot një mbledhje, ku pritet të merret vendim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, pozitë të cilën e synon Vjosa Osmani, që doli nga LDK-ja pasi u shkarkua nga të gjitha pozitat udhëheqëse në parti, për të fituar më pas në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku garoi së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë ish-rivalit të saj politik, Albin Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë për gazetën Express se vendimi përfundimtar për çështjen e presidentit, por edhe për çështje të tjera, do të merret në mbledhjen e deputetëve të kësaj partie.

Gashi ka thënë se mbledhja e Grupit Parlamentar të LDK-së s’do të mbahet sot.

“Do të mbahet patjetër mbledhja e Grupit Parlamentar, por në një kohë tjetër. Për çdo vendim në Kuvend mbajmë mbledhje të Grupit Parlamentar dhe merret vendim në Grupin Parlamentar”, tha Gashi.

Përfaqësuesi i qëndrimeve të deputetëve të LDK-së ka thënë se nuk e di se kur saktësisht do të mbahet mbledhja e Grupit Parlamentar për të marrë vendim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, por ka shtuar se këto mbledhje zakonisht mbahen një ditë para seancës ose në ditën kur mbahet ajo.