Rafuna: Shtrenjtimi i rrymës, shqetësim për bizneset, të lansohet një pako ndihmëse

Një pako e re do të ishte ndihmesë për bizneset, derisa shkalla e inflacionit në vend mbetet e lartë.

I këtij mendimi është Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, për të cilin kjo pako do të paraqiste lehtësim edhe për qytetarët.

“Ka shumë modele të pakove të tilla dhe me një dialog publiko-privat me biznese, qeveria ta miratojë këtë pako ndihmese. Duhet të jetë një pako më specifike nga të kaluarat që kanë qenë shumë sociale”, është shprehur Rafuna në Klan Kosova.

Kjo pako sipas tij do ta lehtësonte edhe situatën pas shtrenjtimit të rrymës për 15.4 përqind.

“Bizneset e kanë pritur me shqetësim ngritjen e çmimit, sepse çdo ngritje ndikon në koston e prodhimit. Është pra kosto shtesë për bizneset. Çmimi i ri do t’ju paraqes telashe të mëdha, me gjithë sfidën që kanë pasur me konkurrencën nga produktet e importuara”.

Duke folur për inflacionin, Rafuna ka thënë se në gjysmën e dytë të vitit pritet që të ketë rënie të çmimeve.

“Trendet dhe indikacionet që i kemi nga tregjet evropiane dhe globale janë shpresëdhënëse. Çmimet kanë filluar të bien atje në mallra strategjike, naftë dhe gaz dhe në gjysmën e tjetër të vitit pritet të ketë stabilizim.