Ragmi Mustafi paditet për herën e katërt nga Gjykata e Serbisë për vendosje të flamurit shqiptar në Preshevë

Ngritjen e flamurit kombëtar në Luginë të Preshevës, Serbia e ka ndaluar me ligj.

Pavarësisht kësaj, çdo vit në luginë është ngritur flamuri kuq e zi nga Ragmi Mustafi.

Por pas këtij veprimi, Mustafit katër padi i janë dërguar nga Gjykata e Serbisë.

Ani pse ka pranuar padi, Mustafi thotë për Front Online se po bëjnë çmos që t’i ofrojnë një të ardhme kombëtare çdo shqiptari në luginë.

“Tashmë jemi para gjykatës dy fish për herë të katërt, personalisht si person fizik dhe përfaqësues i institucionit. Është për herë të katërt Këshilli Kombëtar Shqiptar merr përgjegjësinë e plotë, e njeh plotësisht si detyrimin e saj dhe përtej të gjitha atyre që mund të thonë, të cilët preferojnë të jetojnë me slogane dhe me retorika, ne, me këtë përgjegjësi dhe me këtë vetëdije kombëtare po bëjmë çmos që t’i japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari dhe shqiptareje në Luginë”, u shpreh Mustafi për Front Online.

Edhe pas padive të lëshuar për Mustafin nga Gjykata e Serbisë për ngritjen e flamurit shqiptar, serbët nuk janë ndalur me kaq.

Mustafit për çështjen e flamurit i është ndalur edhe paga.

Ragmi Mustafi ka treguar se në sa raste nuk është paguar.

“Ekzekutimi i sanksionove kundërvajtjeje është në tre raste. E katërta rrezikon të kthehet në çështje penale”, thotë ai.

Mustafi: Nuk ka mundur as regjimi i Millosheviqit t’i ndalë simbolet kombëtare në Luginë, nuk do mundet as Vuçiqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë në Serbi, Ragmi Mustafi ka thënë se kur s’ka mundur regjimi i Millosheviqit t’i ndalë simbolet shqiptare, s’do të mundet as regjimi i Vuçiqit.

Përdorimi i simboleve kombëtarë nga shqiptarët në Serbi, sipas Mustafit është e drejtë ekzistenciale.

“Megjithatë, përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me i përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi i Millosheviqit, nuk do të mundet as ky”, përfundoi Mustafi.

I pyetur nga Front Online se pse flamuri shqiptar është pengesë nga Serbia edhe pse raportet e Ramës dhe Vuciqit janë të mira, Mustafi thotë se Qeveritë e Serbisë vazhdojnë të deklarojnë se respektohen të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

“Qeveritë respektive të Serbisë vazhdojnë të trumbetojnë se po respektojnë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Por, pikërisht ndalimi ligjor i përdorimit të simbolit kombëtar nga autoritetet shtetërore dëshmon diskriminimin dhe shtypjen e shtetit ndaj diversitetit, të ndryshmes, asaj që nuk është serbe”, theksoi Mustafi për Front Online.

Kosova është e definuar si shtet shumetnik në Kushtetutën e saj, ku të gjitha komunitetet janë të barabarta. Në flamurin e saj shtetëror, janë gjashtë yje që përfaqësojnë komunitetet më të mëdha që e përbëjnë atë.

Festat kombëtare të komuniteteve, janë të përfshira vetëm te “Ditët Memoriale”, ndërkaq festat e saj shtetërore janë 17 Shkurti dhe 9 Prilli (Dita e Kushtetutës).

Në këtë ditë të festës së flamurit kombëtar Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillojnë një takim të përbashkët./Front Online