Rama: Akuzat me Shtëpinë e Verdhë një tmerr, po përdoren nga Rusia, SHB-ja të reflektojë!

I pranishëm në promovimin e librit me titull “Përplasja e Madhe” të shkruar nga Enver Hoxhaj, kryeministri Rama foli edhe për Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai tha se historia e Shtëpisë së Verdhë që gjoja Thaçi dhe Veseli ua hiqnin kundërshtarëve dhe i shisnin në treg është një tmerr për të diskredituar një luftë shqiptare.

Ai pyeti se si shpjegohet që përralla e trafikut të organeve e ngritur nga Dick Marty përdoret nga Rusët edhe në raste të tjera.

Rama: Surpriza më e madhe që duhet t’i bëjë të reflektojnë miqtë tanë amerikanë, është Shtëpia e Verdhë dhe Tribunali, doli Shtëpia e Verdhë dhe u mbush bota me veshka dhe mëlçi që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ua hiqnin kundërshtarëve dhe i shisnin në treg. Një tmerr për të diskredituar një luftë shqiptare. Për sa më takon do bëjmë çmos ta vendosim përballë të gjithëve që nga Joe Biden, Boris Johnson dhe Olaf Scholz. Si shpjegohet që një tribunal i ngritur si rezultat fundor i një raporti që mori bekimin e Këshillit të Evropës me gjithë akuzat që kishin në qendër Shtëpinë e Verdhë ka nxjerrë një aktakuzë ku s’ka asgjë?

Çfarë lidhje ka midis Dick Marty, jo si person, por asaj që ai përfaqëson si prodhim dhe me faktin që edhe sot kur Shqipëria ngre çështjen e llogaridhënies, Rusia kundërvihet me trafikun e organeve. Si shpjegohet që përralla e trafikut të organeve përdoret nga Rusët edhe në raste të tjera. Unë s’jam pas teorive të konspiracioni dhe nuk kam qëllim të kthej një teori konspirative në një demarsh shtetëror, por këto janë gjëra të rënda, por mendoj që ne si shqiptarë për ta merituar këtë duhet të mos e pranojmë më këtë farsë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe UÇK. Të bëjnë gjyq me fakte. Shtëpia e Bardhë të reflektojë dhe presidenti i SHBA të njohë me çështjen dhe ta udhëheqë këtë çështje.