Rama ironizon me opozitën: Mund të ofrojmë edhe turizëm protestash

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar protestat e opozitës, duke thënë se “mund të ofrojmë edhe turizëm protestash”.

Nga Ishull Lezha, ku mori pjesë në çeljen e aktivitetit turistik  “Festa Lolake 2019”, Rama u shpreh se protestat e opozitës nuk ndikojnë te turistët.

“Kjo obobo-ja  e madhe nuk ka ndikuar aspak tek numri i turistëve, madje mund të bëhemi një që ofrojmë edhe turizëm protestash. Mund të jetë një atraksion.

Sidomos kur kemi të bëjmë me protesta të tilla të organizuara dhe stacione të përcaktuar dhe me të gjithë atë skenografinë  e përgatitur për  argëtuar njerëzit përmes ekraneve, mund të përfshihen në kalendarin turistik, për t’i ofruar uristëve të marrin pjesë në protesta, vetëm se do të “numërohen”, si protestues dhe do i rrisin numrin artificialisht”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh kritik me ndërtimet në bregdetin e Lezhës, por duke “harruar” ndërtimet e tjera thuajse në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë.