Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i ka kërcënuar portalet dhe kanalet e informimit, se nëse vazhdojnë sipas tij të shpërndajnë lajme të rreme, do të ndërhyjë forcërisht për mbylljen e tyre.
“Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, do jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik”, ka shkruar Rama në rrjetin social Twitter.
Në këtë situatë të jashtëzakonshme, ku duhet matur çdo fjalë është e patolerueshme që të publikohen sharlatanizma delirantësh vendas a të huaj apo të shtrembërohen, sipas avazit të zakonshëm, prononcimet e shpjegimet e arsyeshme të ekspertëve! STOP DHE STOP TANI! MENJËHERË!!!
— Edi Rama (@ediramaal) November 28, 2019
Në Shqipëri ditën e djeshme është shpallur gjendje e jashtëzakonshme si pasojë e tërmeteve të njëpasnjëshmëve që goditën vendin. Deri më tani zyrtarisht janë konstatuar 41 viktima si pasojë e këtyre tërmeteve./Fokusi.info/