Rama konfirmon se s’ka liberalizim vizash: Iu thash në BE se po i kidnaponi qytetarët e Kosovës

0
174

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se në samitin e sotëm mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor ka kërkuar liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Rama në një konferencë për media pas përfundimit të samitit, ka thënë se qytetarët e Kosovës po “kidnapohen” nga BE-ja, përcjell Demokracia.com.

“Po ndodhë edhe një tjetër kidnapim në Bruksel, kidnapimi i qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk lejohet të lëvizin lirshëm në Evropë. Iu thash atyre, ishin nën diktatorin jugosllav dhe mund të lëviznin, të shkonin në Gjermani, Zvicër dhe në çdo vend. Prej kur fituan lirinë, po mbahen peng. Nuk mund të lëvizin. Ky është një turp dhe duhet të përfundojë”, tha ai.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani që përfaqësoi vendin në këtë samit ka deklaruar se ka optimizëm për heqjen e vizave dhe kërkoi që të vendoset për një çështje të tillë, përcjell Demokracia.com.

Vlen të theksohet se menjëherë pas samitit është mbledhur edhe Këshilli Evropian, i cili merr vendimin për heqjen e vizave.

Ani pse disa ditë kishte një optimizëm se vizat mund të liberalizohen, diskutimi për një vendim të tillë nuk është as në agjendën e KE-së.

Megjithatë, gjasat që liberalizimi i vizave për Kosovën të futet në rend dite për diskutim ekzistojnë, pasi që një prej pikave të agjendës thotë se do të flitet edhe për çështjet e politikës së jashtme.