Rama/ Lëvizja në këmbë nuk do të pezullohet, por nuk këshillohet në grup

Kryeministri Edi Rama, gjatë një deklarate për mediat, ditën e enjte, garantoi se lëvizja në këmbë nuk do të ndërpritet, por është e këshillueshme që kjo lëvizje të realizohet në distancë, jo në grup.

Kryeministri Edi Rama, gjithashtu nënvizoi se është me shumë rëndësi të kuptohet se po punohet për të ngadalësuar shpejtësinë e shpërndarjes, pasi sipas tij 80% e popullsisë do të preket nga ky virus, por nuk do ta marrë vesh që e kanë pasur, teksa pjesa tjetër do ketë shqetësimet e një gripi, ndërsa pjesa më e vogël 20% e 20%-it do të ketë nevojë dhe për vëmendjen më të madhe.

“Ecja në këmbë nuk do të pezullohet, por nuk është e këshillueshme në grup. Nuk është e këshillueshme askërrkund që familje të tëra të mblidhen te Liqeni e të qëndrojnë për piknik. Ecja po, lejohet, por jo në grup. Të dalin të ecin, por nuk është e këshillueshme të mblidheni të gjithë në bulevardin e Elbasanit për ditën e verës”,- tha Rama.

“Përsa i përket autobuzëve të punëtorëve, kur bëhet fjalë për kompani prodhuese, është shumë e rëndësishme të merren masa për t’u bërë dezinfektime, por flasim për më tutje, s’po flasim për këto tre ditë. Makinat që transportojnë ushqimore do lëvizin lirisht, duhet të ketë në kroskot listën e dërguar me email nga administratori i kompanisë në këtë adresën e emailit [email protected] , ku të shënohet emri, mbiemri i tij, targa e mjetit të shkruar me dorë nga ai vetë. Në mënyrë që të garantojnë kontroll të shpejtë dhe pa probleme. Po ashtu emrin e mbiemrin e administratorit dhe numrin e telefonit”,- tha Rama.

Kryeministri tha se qasja e vendit tonë është strikte.

“Po dëgjoja kryeministrin britanik, që sot shpjegoi pse në Britaninë e Madhe nuk do mbyllen shkollat dhe Universitetin, por masat do t’i përshkallëzojë më ngadalë, është një qasje. Përsa na takon, ne do të ndjekim qasjen strikte të përshkallëzimit, sipas planit për të ngadalësuar maksimalisht shpërndarjen e virusit”,- theksoi Rama.

“Nuk është ideja të bëjmë sa më shumë teste, nuk është ideja të kapim me teste të gjithë ata që kanë koronën. Koronën do ta marrin masivisht si një virus gripi, por njësoj si me virusin e gripit, siç tregon eksperienca e Kinës, 80% e jona s’do ta marrë vesh kurrë e patën apo jo. Dje dëgjuat kancelaren e Gjermanisë që tha se 60-70% e gjermanëve do të preken nga ky grip. Por siç ju thashë, 80% e atyre që do të preken s’do ta marrin vesh kurrë dhe 20% i atyre që do të ndjehen jo mirë, që do kenë shqetësime, është 20% që do kemi fokusin e vëmendjes. Te 20% prapë një pjesë e kalon si një grip, rrufë, pak temperaturë, këputje, dhimbje kockash, por nuk shkojnë në një gradë më të vështirë, më të rëndë. Dhe këto 80% e kalojnë në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër ka nevojë kurimin. Nuk jemi këtu në kushtet kur duhet të bëjmë sa më shumë teste, por duhet t’i bëjmë teste personave që shfaqin simptomat dhe shqetësimet. Nuk ka kufizim për fluturimet, veç Italisë dhe SHBA, që i mbylli të gjitha fluturimet me Europën, pasi në SHBA duhet të prisni momentin që do rihapen fluturimet dhe kompanitë duhet të bëjnë shtyrjen për një datë tjetër. Air Albania do ta bëjë shtyrjen e biletës për në Itali. Atyre që i kalon data si rezultat i bllokimit, do të kenë të rezervuar vendin kur hapen fluturimet. Përsa i përket masave, ato janë dimanike dhe progresive”,- tha Rama.

“Masat nuk ndalojnë ardhjen e virusit, masat na japin mundësinë ta ngadalsojmë shpërndarjen. Pasi nëse shkojmë të gjithë në stadium, na ndodh një situatë ku ndodh rritja e shpejtë të rasteve dhe e atyre që kanë nevojë për shërbim në spital. Sepse kur Lombardia kolapsoi, kolapsioi sepse kishte më shumë pacientë që kishin nevojë për respiratorë se çfarë kishte mundësi dhe Italia sot po blen respiratorë, Kina i ofrojë një shumë të konsiderueshme dhe 1 000 infermierë sepse kolapsioi sistemi”,- shtoi Rama.

“Këto masat na ndihmojnë të ruajmë rritjen e numrin me gradualitet dhe të gjithëve t’u mundësojmë shërbimin në spital. Do kemi një situatë të vështirë. Këto që po them janë të konfirmuara nga të gjitha burimet e ekspertizës. Kjo nuk është as shaka, ku secili mund të japë opinionet e veta. Ata që thonë se duhet të kishin mbyllur kufirin e kanë gabim, se vende të tjera po e bëjnë me ngadalë”-, tha Rama.