Rama: Mirënjohje për heronjtë shqiptarë e të huaj që po shpëtojnë jetë, nata më e keqe…

MIRËNJOHJE PËR HERONJTË e kësaj dite të paharrueshme dhimbjeje kombëtare, njerëzit e zakonshëm që shërbejnë nën uniformën e Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, të Urgjencës Kombëtare Shëndetësore, të Zjarrfikëseve;

Bluzat e Bardha, që aq rëndom i përgojojmë si s’ka më keq në ditët me diell dhe që prej orësh të gjata po shpëtojnë jetë e po kurojnë plagë të rënda;

Trupat Speciale të Kosovës, të cilat u bënë sot shembëlltyra heroike e bashkimit në dhimbje e në sakrificë të kombit tonë;

Forcat e njerëzore të solidaritet, ardhur me një frymë nga vendet mike, që vazhdojnë të zbarkojnë edhe tani në aeroportin e Rinasit, për të bashkuar fuqinë e eksperiencës e të solidaritetit të tyre, në një betejë këmbëngulëse e cfilitëse, në kërkim të jetës që ende merr frymë nën gërmadhat e natës më të keqe që kemi kaluar si popull prej kushedi se sa vitesh…