Rama: Nuk kam asgjë personale me Kurtin, e kam mik por s’pajtohem me politikën e tij

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se politika në Prishtinë ka bërë që Serbia të duket si viktimë para bashkësisë ndërkombëtare.

“Tragjike! Serbia ka dalë nga ekrani. Duket sikur është viktimë. Para botës ata nuk janë viktima”, është shprehur Rama në Rubikon të Klan Kosova.

“Kush e ka përgjegjësinë për këtë? Nuk e ka bërë këtë një lëvizje inteligjente e Serbisë. Kjo është vepër e Prishtinës. I është dhënë Serbisë pozicion komod dhe këtu qeveria merr rrufetë e planetit”.

Rama ka theksuar se nuk ka asgjë personale me kryeministrin kosovar, Kurti, por që nuk pajtohet me politikën që ai po bën së fundmi.

“Kjo politikë është bërë pengesë, politika e gabuar, nuk e kam fare me personin. Nuk e godas kryeministrin Kurti. Unë mbaj qëndrim ndaj politikës së caktuar. Nuk kam asgjë personale. E kam mik dhe është njeri me të cilin debatoj me kënaqësi”, ka shtuar ai, duke ironizuar me shprehjen e Kurtit se “Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor”.