Rama për “Shpigel”: Nëse muxhahedinët duan luftë, të largohen nga Shqipëria

Kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për Shpigel tha se muxhahedinët nuk mund ta përdorin Shqipërinë për të luftuan kundër regjimit iranian.

“MEK-un e kemi prej disa vitesh në vendin tonë. Ata janë të mirëpritur, por me kusht që mos ta përdorin Shqipërinë si një platformë për operacionet e tyre politike. Mysafirët tanë iranianë e kanë shkelur vazhdimisht këtë marrëveshje. Për shkak të kësaj ishte edhe kontrolli policor në kampin në Durrës”, ka thënë Rama.

Sipas tij “Shqipëria nuk ka synim të jetë në luftë me regjimin iranian. Shqipëria nuk pranon askënd që ka abuzuar me mikpritjen tonë”.

Në pyetjen pse pranuat me kërkesë të presidentit amerikan Barak Obama në vitin 2016 për të pranuar mijëra muxhahedinë Rama thotë se ky ishte operacion jetëshpëtues.

“Ne hapëm dyert tona sepse grupi, që atëherë vepronte nga Iraku u ndoq sistematikisht. Dhe nëse një mik si SHBA-ja na kërkon diçka, ne ndihemi të nderuar”, ka shtuar ai.

“E kuptojmë inatin kundër regjimit në vendin e tyre. Por vendi ynë të përdoret si llogore në një luftë që nuk është e jona, nuk funksionon! Sigurisht që ata kanë çdo të drejtë të luftojnë për lirinë e tyre, por për ta bërë këtë duhet të largohen nga Shqipëria”, u përgjigj Rama

Në kampin “Ashraf 3” pranë Durrësit nëntë vite më parë, u akomoduan më shumë se tre mijë dhe aktualisht janë rreth 2500 muxhahedinë.

Më 20 të këtij muaji, policia ka kryer një bastisje në kuadër të luftës kundër sulmeve kibernetike dhe terrorizmit, pas hetimeve të nisura për sulmet kibernetike me të cilat u përball Shqipëria një vit më parë. Ata dyshohet se janë rezultat i sulmeve të kryera më parë ndaj Iranit nga territori shqiptar.

Oficerët e policisë hasën në rezistencën e disa prej muxhahedinëve dhe konfiskuan kompjuterë, USB dhe materiale të tjera që muxhahidët u përpoqën t’i vinin zjarrin.