“Veprim që do ta shpie vendin në zgjedhje të reja”: A do të dërgohet presidentja në Kushtetuese për rastin e kryeprokurorit?

Mosdekretimi i Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shteti ka nxitur kritika të shumta ndaj presidentes Vjosa Osmani. Opozita dhe njohësit e çështjeve kushtetuese kanë bërë me dije se në këtë proces shefja e shtetit ka bërë shkelje serioze të Kushtetuese. Ata kanë vlerësuar se konstatimi i shkeljes së Kushtetutës në këtë rast do të mund të shkaktonte shkarkimin e presidentes Osmani dhe dërgimin ë vendit në zgjedhje të reja. Por, a do të dërgohet ky rast në Kushtetuese?

Subjektet politike opozitare ende nuk kanë vendosur nëse do ta adresojnë këtë çështje në Gjykata Kushtetuese. Përfaqësuesit e këtyre partive kanë theksuar se janë duke e diskutuar këtë çështje me ekspertët e tyre.

Më e zëshme në këtë drejtim është treguar Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se ekspertët e PDK-së janë duke e shqyrtuar këtë çështje.

“Unë i kam mbledh ekspertët tanë për ta shqyrtuar tutje rastin. Edhe pse ajo kishte dërgua një letër tashmë, unë nuk jam ekspert i fushës kushtetuese, por zakonisht presidentet veprojnë më dekrete. Nuk e di se si mund të konsiderohet si vendim zyrtar, po megjithatë është çështje e ekspertëve që po e shqyrtojnë. Sepse një gjë e tillë duhet të këtë përgjigjen e adresimit në Gjykatën Kushtetuese ose jo. Unë besoj se një përgjigje të tillë ne do ta japim shumë shpejt. Por, ajo që mund të them goxha me bindje, sepse këtë diskutim e kemi pasur edhe më herët, është se presidentja tashmë e ka shkelur Kushtetutën”, ka thënë Krasniqi për RTK.

Edhe lideri i AKK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se po mendojnë për rastin në fjalë, shkruan Nacionale.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Haradinaj ka thënë se partia e tij po i shqyrton të gjitha aspektet ligjore.

“Ne do ta diskutojmë këtë se bashku edhe me kolegët tjerë dhe do t`i shqyrtojmë të gjitha aspektet ligjore. Por, është rendë për shoqërinë tonë kur rreshtohet krejt pushteti kundër një prokurori. Kryeministrin e kemi dëgjuar, ministrin e drejtësisë e kemi dëgjuar, kryeparlamentarin dhe se fundi edhe presidenten”, ka thënë Haradinaj.

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e ka kritikuar ashpër presidenten për mosveprim.

Sipas tij, veprimi i Osmanit ka qenë skandaloz.

“Skandali nr.1 Ajo dje dëshmoj që për 18 muaj ka abstenuar, në ushtrimin e detyrimeve që ia ka përcaktuar kushtetuta e Kosovës. Neni 84.2 i Kushtetutës kur flet për kompetencat e presidentit thotë: “Garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”. Ky paragraf i vesh presidentit të republikës kompetencën e garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuar me kushtetutë. Pra kjo normë nuk është fakultative apo dëshirore për presidenten, pra nuk i lihet vullnetit të saj por është normë detyruese e domosdoshme kushtetuese, për të vepruar për mirë funksonimin kushtetues të institucioneve kushtetuese”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Rrëzimi i presidentes

Njohësit e kushtetutës dhe të proceseve politike janë shprehur të bindur se nëse rasti dërgohet në kushtetuese, do të konstatohet shkelja e aktit më të lartë juridik nga ana e presidentes.

Madje, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se kjo do të përbente shkelje serioze.

“Unë besoj se po. Gjykuar nga rastet e kaluara, kjo shkelje përbën një shkelje më serioze sepse është më e prekshme dhe më lehtë për t’u provuar, përfshirë dhe aspektin e pranueshmërisë së kërkesës eventuale. Çështja është nëse do të dërgohet dhe nëse do ndiqen precedentët e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese. Deri më sot, siç e tash, precedentët janë braktisur shpesh, në një mënyrë të gabuar. Kjo mund të ndodhë sërish. Ky ndryshim i shpejt dhe i bazuar në arsye metafizike, krejtësisht ekstra juridike, prish sigurinë dhe stabilitetin juridik në vend. Ndryshimet e precedentëve të kaluar mund të bëhet dhe është standard i Gjykatës së Strasburgut. Por kjo mund të bëhet vetëm kur flitet për liritë dhe të drejtat kushtetuese”, ka thënë Hasani për “Insajder”.

Ndërsa, analisti Afrim Kasolli ka kritikuar partitë opozitare për qëndrimin ndaj kësaj çështje. Ai ka bërë me dije se partitë mund të mos e dërgojnë këtë çështjen kushtetuese nga frika prej presidentes Osmani.

Sipas tij, opozita është e vetëdijshëm se konstatimi i shkeljes së kushtetutës në këtë rast mund ta dërgoje vendin në zgjedhje të reja.

“Si duket i ka kapur paniku dhe frika nga kërcënimi i Presidentes se nëse e bëjnë një gjë të tillë janë duke kërkuar betejë politike me të dhe se do ta gjejnë atë. Dhe po ashtu janë të vetëdijshme se ky veprim do ta shpiente vendin në zgjedhje të parakohshme, diçka për të cilën nuk janë të gatshme”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”,

Nëse kjo çështje nuk adresohet në Kushtetuese, është shprehur Kasolli, dëshmon se kërkesa e opozitës për zgjedhje është false.

“Kjo heshtje e tyre tinezare për këtë sjellje të Presidentes Osmani dëshmon se sa false e kanë edhe kërkesen e tyre formale për zgjedhje të parakohshme. Një opozitë që nuk guxon të mosveproje nga mosveprimi antikushtetues i të parës së shtetit nuk i duhet Kosovës. Ajo nuk është në shërbim të interesave të qytetarëve dhe rendit demokratik, por vetëm një instrument i pushtetit. Asgjë më shumë. E kanë shansën ta dëshmojnë të kundërtën. Afati po kalon”, ka thënë ai.

Ligji për Gjykatën Kushtetuese parasheh se një ankesë të tillë partitë opozitare mund ta adresojnë brenda 30 dite.

Javën e kaluar, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se nuk e ka dekretuar për Kryeprokuror të Shtetit z. Blerim Isufaj.