Rama reagon pas padisë ndaj Haradinajt

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas padisë që depozitoi një ditë më parë ndaj homologut kosovar Ramush Haradinaj. Teksa i përgjigjet një komentuesi se pse nuk ishte në Kosovë për të përkujtuar masakrën e Reçakut, Rama shpreh keqardhje për ata që e mallkojnë duke pasur parasysh një tradhti imagjinare. Rama thotë se do vazhdojë të bëjë gjithçka për Kosovën dhe nuk do të tërhiqet përballë shpifësve, ndërsa shprehet se viktimat e pafajshme të agresionit serb nuk nderohen duke i përdorur për një politikë të ulët.

“Keqardhje e turp për ty dhe këdo tjeter si ti që prej Kosove më shan e më mallkon paturpërsisht, për tradhëtira imagjinare e për poshtërsira të sajuara ndaj meje nga politikane e analiste pa din e pa iman! Une kam bërë, bëj e do bëj gjithçka mundem për Shqipërinë e për Kosovën po njësoj, e nuk kam ndërmend as të tërhiqem, as të përkulem, përballë kësaj armate trushkulurish, shpifësish e parazitesh, sepse jam me të drejtën dhe me te vërtetën, qe edhe kur vonon nuk harron asnjëherë…

E sa për Reçakun, ato viktima te pafajshme te agresionit serb nuk i nderon aspak zotëria jote duke më fyer mua, ashtu sikundër viktimat e urrejtjes nuk nderohen aspak duke i përdorur për politikën e ulët, që i ndan njerëzit në patriotë e në tradhtarë! Kjo ishte përgjigja ime për ty, teksa ndjek me shumë keqardhje se si ajo lloj politike po ia merr Kosovës frymën e fytyrën, në sytë e njerëzve të thjeshtë dhe të miqve të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilët habiten gjithnjë e më shumë nga paaftësia politike e nga hipokrizia patriotike e atyre qe kujtojnë se me shpifjet e sharjet ndaj meje, do i ikin përgjegjësive te tyre para popullit dhe të ardhmes së Kosovës!”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dorëzoi dje në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë për shpifje kundër kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit e akuzoi për përfshirje në shkëmbime territoriale.

Rama kishte paralajmëruar se do të hidhte në gjyq kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn, pasi ky i fundit ishte shprehur se kishte ndaluar një plan të kryeministrit të Shqipërisë, në bashkëpunim me Presidentin e Serbisë dhe Hashim Thaçin, për ndarjen e Kosovës, madje ata kishin planifikuar për të ndarë mes tyre 10 miliardë € fitime nga miniera e Trepçës.

Haradinaj u shpreh pas padisë se do të përgatisë përgjigje në padi, duke e quajtur atë të pabazuar, dhe që ka për qëllim t’i ikë përgjegjësisë.