Rama: Serbia po bën manovra teatrale ushtarake në kufi, por duhet ta njohë realitetin e pakthyeshëm të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur pas takimit që pati sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ka nënvizuar qëllimin e Shqipërisë për të artikuluar realitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Rama gjithashtu ka folur edhe për zhvillimet në veri të Kosovës duke thënë se Serbia po bën manovra teatrale ushtarake në kufi të Kosovës.

“Më vjen fort mirë të vizitojë sot Prishtinën, menjëherë pas përfundimit të sesionit të 76’të të Kombeve të Bashkuara ku çështja e njohjes përfundimtare të Kosovës ishte një nga përparësitë e vizitës tonë në New York. Përparësitë e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB’së do të jetë nxitja e njohjes së realitetit të Kosovës dhe për mbylljen e kapitullit të ish-Jugosllavisë”, tha ai.

“Nuk ka diskutim që në radhë të parë, Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq se në vend të njohjes reciproke sot jemi dëshmitar të manovrave teatrale ushtarake në kufi të Kosovës”, tha Rama.

Rama ka ‘goditur’ Serbinë për veprimet në veri të Kosovës duke thënë se po e nxisin nacionalizmin vandal.

“Sikundër pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh, që sikur kanë dalë nga varri me pretendimin që po mrbohet integriteti e siguria e qytetarëve serbë në Kosovë. Fakt që qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush, madje fjala vjen i’u paguhen edhe faturat e energjisë elektrike nga qeveria këtu si askujt askund jo në Ballkan por në botë dhe fatkeqësisht ato manovra sjellin në skenë të shkuarën dhe nxisin nacionalizmin vandal që sulmojnë institucionet të cilat shfrytëzohen nga qytetarët serbë që janë pengje të instalacionit në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës”, thotë Rama.

Ai ka thënë se aplikimi i reciprocitetit është normë normale e së drejtës legjitime të Kosovës por edhe marrëveshje e arritur mes dy qeverive.

“Aplikimi i reciprocitetit është normë normale e së drejtës legjitime të Kosovës por është edhe marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive respektive. Dua të them këtu edhe qëndrimin e Shqipërisë që mbetet i pandryshuar qysh nga çasti i parë. Serbia nuk ka asnjë të drejtë t’i kthejë targat në përditëshmëri konfliktuale ku mizën e bën buall thuajse qeveria e Kosovës ka përmendur luftë kur thjesht po kërkon marrëveshje të dakordësuar”, tha ai.

Në fund, Rama ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri dhe gjithashtu ka folur edhe për dialogun si mundësi e zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria shqiptare e ndan plotësisht bindjen se problemi duhet të zgjidhet me dialog dhe besoj fort se janë mundësitë që kjo të ndodh dhe të ndalen demonstrimet me forcë ushtarake e të fillojnë demonstrimet me forcën e arsyes. Natyrisht që edhe këtu duhet të jemi të qartë se u takon dy kryeministrave të vendosin se si do të ecin më tutje në aspektin strategjik në këtë situatë, por kjo është mundësi e mirë për ta treguar edhe njëherë gatishmërinë për dialog të barabartë dhe për ta çuar atë në nivel të ri edhe me miqtë ndërkombëtar të Kosovës. Sot, së bashku ne kemi shtruar në diskutim tema të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit dhe mund t’iu them se jemi vërtetë të motivuar, plotësisht të angazhuar bashkërisht gjë që ishte shumë e qartë edhe në takimin që spao përfunduan që këto marrëdhënie të shkojnë në nivel tjetër dhe gjithë ato marrëveshje të zbatohen sikurse edhe të tjerat të interesit reciprok. Kryeministri e tha, sot kemi dakordësuar edhe për vendosjen e një personi kyq si koordinator i kësaj përpjekje të përbashkët i cili do të jetë drejtpërdrejt i liduhr me zyrat tona respektive. I cili gëzon besimin e plotë të të dyve ne dhe jam i bindur që do të jetë një ndihmë për të mos lejuar që burokracia të bëjë atë që bën gjithmonë që angazhimet e vullnetit të mirë t’i kthejë në procese të pambarimta.”, tha Rama.