Rama: Të mos hidhet baltë mbi FA shqiptare! Kanë shpëtuar 38 jetë para se të vinte forca e parë e huaj

Kryeministri Edi Rama deklaroi se 38 jetë nën rrënoja janë shpëtuar nga trupat shqiptare, kur nuk kishin arritur ende forcat e huaja dhe nuk duhet përbaltur puna e tyre.

“Trupat tona meritojnë vlerësimin më të lartë. Këtë e them jo vetëm për t’i kthyer një përgjigje sqaruese atyre që përpiqen të thonë se po të mos ishin të huajt ne nuk do arrinim të shpëtonim askënd.

Deri në momentin e pasdites vonë kur ka mbërritur forca e parë e huaj e kërkim shpëtimit numëroheshin 38 persona të shpëtuar. 38 njerëz janë shpëtuar nga trupat tona. Nuk dua të mohoj faktin se trupat tona kanë nevojë për t’u fuqizuar në pikëpamjen e mjeteve dhe për t’u motivuar më shumë duke nisur me trajnime, nuk bëhet fjalë për të vënë dyshim dhe për të përqeshur kapacitetet e tyre.

Në tërësinë e skuadrave të integruara skuadra jonë e urgjencës është e të gjitha standardeve. Të gjithë përfaqësuesit e trupave të kërkim shpëtimit e kanë thënë këtë me admirim. Një efekt pozitiv është se me trupat franceze dhe italiane janë vendosur tani urat e komunikimit. Shumë shpejt do vendosim urat në çdo aspekt.”, tha Rama.