Rama vlerësoi Nishanin: Nuk e interpretonte kushtetutën sipas dëshirave politike

Zhdekretimi i datës së zgjedhjeve nga presidneti Meta, e ka shtyrë Ramën të bëjë krahasime mes tij dhe paraardhësit . Kreu i qeverisë solli në vëmendje marrëveshjen e majit 2017, me Lulzim Bashën, ndërsa rrëfeu edhe procedurën e ndjekur asokohe nga Presidenti Bujar Nishani për shtyrjen me një javë të datës së zgjedhjeve.

Rama vlerësoi Nishanin duke deklaruar se ish-presidenti nuk e interpretonte kushtetutën sipas dëshirave politike, edhe pse ishte një nga krerët e shtetit më partiak në Shqipëri.

“Dy vjet më parë paraardhësi i Metës na e kërkoi me shkrim e firma në një shkresë dakordësinë për shtyrjen me një javë brenda afatit kushtetues, e cila u krye vetëm pasi shkoi letra te presidenti.

Sepse e vërteta duhet thënë edhe kur s’na vjen përmbarë. Nishani nuk e interpretonte kushtetutën sipas dëshirave të partisë, megjithë deklaratat skandaloze, asnjëherë s’ia vuri firmën e tij në dispozicion të agjendës politike.

U desh të bëhej president Ilir Meta që të kujtojmë sot për mirë Bujar Nishani, që jo vetëm fjalët t’i marrë era po edhe firmat të ikin sipas erës, deklaroi Rama./Gazeta shqiptare/