Ramë Buja kërkon rezolutë të përbashkët Kosovë-Shqipëri për krimet serbe

Ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ramë Buja ka ftuar Kosovën dhe Shqipërinë, që të hartojnë një rezolutë të përbashkët për të dënuar krimet e kryera nga Serbia mbi popullsinë shqiptare.

Në Euronews Albania, Buja theksoi se ky është një hap i domosdoshëm duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në Kosovë, ku ish-krerët e UÇK-së u dërguan në Hagë  e ku po akuzohen për “krime lufte”.

“Qëndrimi i përbashkët i Republikës së  Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të ishte domosdoshmëri. Kosova ka miratuar një rezolutë kohë më parë, por edhe Shqipëria po kështu, por e mira do të ishte të kishte një rezolutë të përbashkët për këto që ndodhen për Kosovën. Më mirë të bëhet vonë se asnjëherë. Ne i kemi djemtë e UÇK në Hagë, dhe ne duhet të bëjmë punë tonë jashtë dhe ata bëjnë punën e tyre duke arsyetuar veprimet e tyre, sepse në fakt UÇK-ja asnjëherë nuk ka vepruar ndaj popullsisë civile dhe aq më pak ndaj kundërshtarëve politikë. Duhet të mendojmë mirë andej dhe këndej kufirit për Kosovën”, tha ai.

Ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja, ngritjen e akuzave si “organizatë e përbashkët kriminale” ndaj UÇK-së e cilëson të papranueshme. Ai shtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të drejtë, por shtoi se skenat që po shohin sot shqiptarët në Hagë janë të orkestruara nga Beogradi zyrtar.

“Asnjë shqiptar nuk ndihet mirë me këto cilësime që i bëhen UÇK-së në Hagë, dhe po të ishte UÇK-ja ashtu siç e cilësojnë në Hagë, shtrohet pyetja pse u ndihmua nga NATO? UÇK-ja ishte një mekanizëm serioz dhe u ndihmua. Kjo që po ndodh në Hagë i përket një spektakli të zi, dhe ka një orkestrim të zi nga pas dhe kjo po bëhet nga Beogradi”, shtoi ai.