Ramiz Kelmendi: E dëgjova me veshët e mi Albin Kurtin duke fol kundër Amerikës

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, biznesmeni Ramiz Kelmendi, është para analistëve të RTV Dukagjinit.

Ai është pyetur së pari për raportet e partisë së tij me Lëvizjen Vetëvendosje, duke e ditur qëndrimin e tij armiqësor ndaj partisë së udhëhequr nga Kurti.

Kelmendi tha se nuk e ka kundërshtuar një koalicion të tillë.

I pyetur më tej në lidhje me raportet e tij armiqësore me VV-në, ai deklaroi se e kishte dëgjuar me veshët e tij Albin Kurtin derisa thoshte që “shqiptarët nuk e duan Amerikën”.

Kelmendi bënte referencë me një deklaratë të inçizuar të z.Kurti para disa vitesh kur Vetëvendosje po protestonte kundër Qeverisë Thaçi II.

Ai po ashtu tha se me Vetëvendosjen e dallonin parimet ekonomike. Më tej, ai deklaroi se kishte më shumë gjasa për t’u larguar se për të qëndruar në LDK.