Opozita: Komuna e Gjilanit po e neglizhon gjendjen e krijuar si pasojë e përhapjes së koronavirusit

Nevzad Isufi nga Lëvizja Vetëvendosje, Riza Abdyli nga PDK-ja, Kushtrim Kadriu nga “Vatra” dhe Ibish Ibish- anëtar i i pavarur i Kuvendit Komunal të Gjilanit janë bërë bashkë për të përçuar siç thonë, reagimin opozitar, për atë se “Komuna e Gjilanit me të madhe është duke e neglizhuar gjendjen e krijuar si pasojë e përhapjes së pandemisë botërore të koronavirusit”.

“Gjatë vrojtimit të kësaj situate si dhe të punës së ekipit komunal të krijuar për menaxhimin e saj, hasim në një numër të madh të parregullsive dhe lëshimeve që po bëhen nga udhëheqja komunale dhe ky ekip. Mendojmë se Komuna e Gjilanit ka krijuar një ekip tejet të papërgatitur profesionalisht për të menaxhuar një krizë të tillë. Në mesin e këtij ekipi mungojnë profesionistët e lëmive përkatëse, që do të mund të jepnin kontributin e nevojshëm në parandalimin kësaj epidemie”, thuhet në këtë reagim.

Sipas tyre, këtij ekipi i mungojnë infektologët, kimistët, biologët, farmacistët dhe psikologët.

“Deri më tani ky ekip ende nuk ka pasqyruar asnjë strategji mbrojtëse, asgjë konkrete, pos premtimeve me fjalë. Mendojmë se mungon komunikimi dhe zbatimi i plotë i rekomandimeve të dala nga institucionet qendrore dhe ka një diskrepancë në mes të asaj që urdhëron qeveria dhe asaj që bënë komuna”, thuhet tutje në reagim për t’u dhënë 10 rekomandime si më poshtë:

U rekomandojmë organeve komunale dhe shtabit të krizës që:
1. Të krijojnë lidhje efektive me organet qeveritare në menaxhimin e krizës,
2. Të ftojnë e të përfshijnë në ekip mjekë, kimistë, farmacistë e biologë dhe t’u lihet atyre menaxhimi i krizës si profesionistë që janë,
3. Të bëjnë furnizimin me masa mbrojtëse (maska, dorëza e dezinfektues) për stafin e ambulancave të mjekësisë familjare dhe stafit të spitalit regjional të gjilanit

4. Të bëjnë furnizimin me masa mbrojtëse për punonjësit e komunës, që janë duke ofruar shërbime për qytetarët,
5. Të bëjnë furnizimin me masa mbrojtëse për qytetarët,
6. Të bëhet dezinfektimi i hapësirave publike,
7. Të vendosen pika dezinfektuese në hyrje dhe në dalje të Gjilanit,
8. Të formohen shtabet nëpër lagjet e qytetit si dhe nëpër fshatra,
9. Të bëhet ofrimi i shërbimeve mjekësore si dhe furnizimi me ushqime, për të sëmurët që janë pa përkujdesje.
10. Të bëhet ofrimi i shërbimeve mjekësore për rastet sociale, për të sëmurët kronikë, e në veçanti për ata që janë me sëmundje respiratore, e që kërkojnë një përkujdesje të veçantë.

“Ne si opozitë, jemi të gatshëm të kontribuojmë me kuadro profesionale, të cilat i kemi në organizatat tona politike, me qëllim që sa më mirë dhe sa më lehtë ta kalojmë këtë sfidë të rëndë, që e ka kapluar edhe qytetin tonë”

Nevzad Isufi – VV,
Riza Abdyli- PDK,
Kushtrim Kadriu- Vatra dhe
Ibish Ibish- anëtar i Kuvendit komunal.