Ramush Haradinaj vizitë në Selinë Qendrore të OVL-UÇK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Ramush Haradinaj, ka vizituar gjatë ditës së sotme Selinë Qendrore të OVL-UÇK-së në Prishtinë në prag të festave të Nëntorit.

“Atje ku ruhet kujtesa dhe vlera e lirisë, Shoqata e dala nga lufta e UÇK-së, që të shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë luftëtarët dhe gjithë ata atdhetarë që kanë bërë të mundur që shqiptarët të jenë të lirë, njëkohësisht shprehim respektin për bashkëluftëtarët tanë që padrejtësisht mbahen në paraburgim, ne besojmë në pafajësinë e tyre besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së.

Do të vazhdojmë edhe në vendet ku pushojnë heronjtë, çdo herë në atë aspekt të vlerave të lirisë, do të përulemi me respekt gjithmonë para tyre”, ka thënë Haradinaj, përcjell Fokusi.info.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku e falënderoi Haradinajn për vizitën, që siç tha ai çdo vit na ka vizituar për të na uruat festat e Nëntorit.

Klinaku kritikoi përsëri kryeministrin Kurti për mos bashkëpunim me organizatat e dala nga lufta, që e ka edhe obligim ligjor. Po bëhen shtatë javë që kryeministri Kurti nuk na pret as në takim, tha Klinaku.

“E mira do të ishte që zotëri Kurti të vinte këtu dhe të na i uronte festat e nëntorit, siç na i kanë uruar të gjithë kryeministrat tjerë. Sepse, ne si organizata të dala nga lufta edhe pse ai e ka obligim ligjor që të na uroj festat, por edhe të bashkëpunojë me ne. Por po bëhen shtatë javë që neve, kryeministri nuk na pret as në takim. Që e ka obligim ligjor që të përkujdeset për këto kategori”, u shpreh Klinaku.

Klinaku u ka uruar festat e nëntorit bashkëluftëtarëve, për të cilat tha se po mbahen padrejtësisht tash e një vit në Hagë.

Në këtë takim, Klinaku tha se biseduan edhe rreth tragjedisë së mbrëmshme në Deçan dhe aksidentit në Bullgari.