Raporti i Progresit me kritika për Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve

Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dy vendet, të cilat pritet të publikohen të mërkurën.
REL e ka parë një draft të raportit 150-faqesh, në të cilin vlerësohet përmbushja apo jo e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe e rekomandimeve që ka dhënë KE-ja në raportet e mëhershme.

Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë nesër pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.

Por, në raportet e këtij viti, si në atë për Kosovën, ashtu edhe në atë për Serbinë, një vëmendje e shtuar i është kushtuar përmbushjes së detyrimeve që dalin nga dialogu i Brukselit dhe në këtë çështje të dyja vendet qortohen për moszbatim e tyre.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar me tekstin e njëjtë në të dyja raportet individuale të progresit, për secilin vend përkatës, pasi këto obligime janë pjesë e kritereve edhe për avancim në procesin e integrimeve evropiane.

Duke e rikujtuar arritjen e marrëveshjes në Bruksel në shkurt dhe aneksit për zbatimin e saj një muaj më vonë në Ohër, raporti shpreh keqardhje që palët nuk kanë filluar ende t’i kryejnë obligimet e tyre.

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, akoma nuk e kanë filluar zbatimin e obligimeve të tyre përkatëse, të cilat dalin nga Marrëveshja, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese për palët dhe pjesë e rrugëtimit të tyre evropian. Palët duhet urgjentisht të nisin angazhimin më konstruktiv dhe të nisin implementimin pa vonesa të reja, apo parakushte“, thuhet në Raportin e Progresit.

Raporti nënvizon detyrimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në këtë pikë, dokumenti thekson se drafti i parë i statutit të Asociacionit, i cili ishte paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut në muajin maj, e që praktikisht ishte draft i Serbisë “nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet relevante nga dialogu“.

Raporti tani kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë me 21 tetor.