Rashiq kundërshton vendimin e Qeverisë për të shpallur organizatat “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” terroriste: Propozim i ngutshëm

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka kundërshtuar dhe rrjedhimisht ka votuar kundër vendimit të Qeverisës së Kosovës për t’i shpallur si terroriste organizatat “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” që veprojnë në Veri të vendit.

Rashiqi kërkoi nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili propozoi këtë iniciativë që ta rishqyrtojë propozimin, e të mos “merr vendime të ngutshme”.

“Disa propozime janë të ngutura dhe mendoj se duhet të ecim me shumë kujdes. Me respekt ndaj jush ministër, ju lus që nëse ka mundësi sërish të mendoni që edhe një herë të shohim këtë propozim dhe vendim”.

Ndonëse Rashiq theksoi se mbështet fuqishëm luftimin e krimit dhe korrupsionit në Veri të Kosovës, ku sipas tij ekziston një vakum i sigurisë për 24 vjet rresht, një vendim i tillë i Qeverisë së Kosovës vetëm sa i largon serbët lokalë nga institucionet kosovare.

“Frikohem se sa më shumë që ne dëshirojmë të jemi institucionalisht të përgjegjshëm aq më shumë në këtë moment ndahemi nga bashkëqytetarët tonë serbë, serbët janë qytetarët tanë, ndonëse të manipuluar nuk janë fajtorë sepse nuk kanë informata të mjaftueshme”.