Rast tragjik në Gjermani, vdes 8 vjeçari pasi ai dhe nëna e tij shtyhen në binarë nga një person

Një fëmijë 8 vjeçar ka vdekur pasi është goditur nga një tren i shpejtë në Frankfurt.

Sipas dëshmitarëve të kësaj ngjarje djaloshin dhe nënën e tij, i ka shtyer dikush drejt binarëve.

Ata theksuan se kanë parë një person të veshur me të zeza.

Tragjedia ndodhi rreth orës 10 të së hënës, derisa treni ishte duke udhëtuar nga Dysselldorfi në Mynhen.

Nëna e djaloshit i shpëtoi goditjes duke u futur në hapësirën e vogël mes dy binarëve, por nuk arriti ta kapte edhe djalin, i cili u godit nga treni.

Ajo është dërguar në spital dhe po merret në pyetje nga policia.

Policia ka arrestuar një burrë 40 vjeç, i cili është kapur në një nga stacionet më të ngarkuara të Gjermanisë.

Një zëdhënës i policisë ka bërë të ditur se personi i dyshuar nuk ka lidhje me djaloshin e mbytur ose nënën e tij.

Ai gjithashtu njoftoi se i arrestuari është përpjekur ta sulmojë edhe një person tjetër.

Së fundmi është arrestuar edhe një 28 vjeçar, i cili nuk ka pranuar të flas lidhur me rastin dhe po përpiqet të mbrohet në heshtje.

Pas këtij incidenti, të gjithë binarët e këtij stacioni u mbyllën për qarkullimin e trenave.

Treni nga i cili u godit djaloshi mund të lëvizë me shpejtësi deri në 300 kilometra në orë, shkruan Stern.de. përcjellë Klan Kosova.

Ky rast ndodhi vetëm një javë pas një incidenti të ngjashëm, kur një grua 34-vjeçe vdiq pasi u hodh para trenit nga një burrë.