Rasti i foshnjës së vdekur në Spitalin e Pejës, edhe dy shkarkime të reja

Spitali i Pejës ka shkarkuar shefin dhe kryeinfermieren e repartit të Gjinekologjisë, pas rastit të foshnjës që lindi pa shenja jete e që dyshohet më pas u fut në rrobalarëse.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Spitali i Pejës.

“Po ashtu, kemi iniciuar procedurat disiplinore të mënjehershme nga ana jonë dhe me këtë rast janë suspenduar shtatë punonjës të Spitalit, me datë 16.12.2022, menjëherë pas identifikimit se kush ka qenë i përfshirë sipas përgjegjësisë së veprimit a mosveprimit. Sot, si vazhdim i masave disiplinore është shkarkuar Shefi i Repartit të Gjinekologjisë dhe Kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë, ndërsa që presim përfundimin e të gjitha procedurave tona disiplinore, por sidomos edhe gjetjet e autoriteteve ligjzbatuese të përfshira në hetim për të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme ndaj cilitdo të përfshirë në këtë rast.

Ne jemi duke përgatitur planin për ndërmarrjen e masave të tjera që do të përmirësojnë procedurat tona të brendshme organizative dhe për këtë do të reflektohet në ditët në vijim”, thuhet në njoftim.