Rasti “Thesari” – Supremja refuzon si të pabazuara kërkesat e Labinot Grudës dhe Kadri Shalës

Gjykata Supreme ka njoftuar se ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e të dënuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, në rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarve: L.G. për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisjes së qasjes dhe shpëlarja e parave dhe K.Sh. për shkak të veprave penale: ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe shpëlarja e parave, i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të dënuarve, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e përfaqësuesve të palëve të treta: E SHPK, NTSH “Sh.”, NTP “X.”, G. Shpk”, “G. K. SHPK”, “R.H.” dhe “M. B. G. SHPK” kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, janë hedhur si të palejuara.

Ndryshe, Gjykata e Apelit gjashtë muaj më parë kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Të njëjtit në dhjetor të vitit 2022 janë dënuar me 21 vite burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.

Gruda është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik prej dhe 11 vite burgim efektiv dhe 8 mijë e 500 euro gjobë. Po ashtu, të njëjtit i është shqiptuar dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 6 vite.

Ndërsa, Shala është dënuar me 10 vite burgim efektiv dhe 33 mijë euro gjobë.