Reagon Bekim Haxhiu për laboratorin e Devollëve: 200 euro testi për koronavirus, a jeni normal?

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu ka reaguar ashpër pasi në një laborator të Kosovës, që është në pronësi të vajzës së biznesmenit Blerim Devolli, po bën teste deri në 200 euro.

Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është dashur të marrë përsipër edhe rregullimin e çmimeve për laboratorët privatë.

“Ne jemi dëshmitarë se në disa raste brenda 24 orëve janë bërë më shumë se 500 teste. Përse nuk janë bërë më shumë teste në institucionet publike duhet të përgjigjen të dy Qeveritë Hoti e Kurti.”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

200 Euro testi RT-PCR, a jeni normal?!

Këtë çmim e ka paguar një qytetar i Kosovës për një test RT-PCR në laboratorin “Laboratori Medical & Laboratory Services”, i cili është në pronësi të vajzës së Blerim Devollit, që u licencua nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë kur ka licencuar laboratoret private është dashur të marrë përsipër edhe rregullimin e çmimeve.

Gjithashtu duhet të jepet përgjegjësi përse që nga fillimi i pandemisë nuk janë shfrytëzuar kapacitetet e IKSHPK-së për më shumë teste.
Ne jemi dëshmitarë se në disa raste brenda 24 orëve janë bërë më shumë se 500 teste.
Përse nuk janë bërë më shumë teste në institucionet publike duhet të përgjigjen të dy Qeveritë Hoti e Kurti.

Sikur të shfrytëzoheshin të gjitha kapacitetet e laboratorëve në sistemin publik shëndetësor, nuk do të kishte fare nevojë që qytetarët të bënin teste në laboratorët privat.