Reagon edhe më ashpër Klan Kosova: Vendimet e Qeverisë s’i përkasin një sistemi demokratik

Mediumi që u sulmua mbrëmë nga Qeveria Kurti përmes një vendimi nga Ministria e Tregtisë që t’i pezullohej certifikata e biznesit, Klan Kosova, ka bërë një reagim tjetër të ashpër.

Klan Kosova e ka cilësuar si veprim politik dhe arbitrar vendimin e djeshëm të Qeverisë, që sipas tyre synim e ka mbytjen e fjalës së lirë, lirisë së shprehjes dhe mediave të pavarura.

“Këtë, kjo Qeveri, po e bën me vendime që nuk i përkasin një sistemi demokratik. Në emër të ligjit e Kushtetutës, po ndërmarrin veprime që janë në kundërshtim me të dyja, e për më keq edhe kundër parimeve të demokracisë.” – shkruan në reagimin e fundit ky medium.

Betimet e kryetarëve / Përdhosja e policëve: Kurti s’e merr asnjë vendim kundër Serbisë – S’ndalen as mallrat as qarkullimi
Vendimin e ndërmarrë nga ministrja Rozeta Hajdari, Klan Kosova e ka quajtur të paprecedentë.

Ky medium ka njoftuar se ka ndërmarrë menjëherë masat dhe veprimet e nevojshme, e të cilat përfshijnë njoftimin e të gjitha institucioneve të shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes.

“Secili pushtet që tenton t’i luftojë mediat, luftën e ka të humbur pa e filluar. Fjala e lirë dhe liria e shprehjes janë përmbi qeverisjet.” – vazhdon tutje mediumi.

Edhe gazeta Nacionale – ashtu si shumë organizata tjera mediale – i ka dalë në mbrojtje mediumit Klan Kosova.