Reagon Partia Demokratike e Kosovës dega në Vushtrri

0
362

Para disa dite, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka njoftuar se një projekt 3-vjeçar, ai i rrugës “R220” Bukosh – Gllavatin që lidh 27 fshatrat e Komunës së Vushtrrisë, rrëzë Qyqavicës, do të nisë të realizohet këtë vit.

“Dega e Partisë Demokratike në Vushtrri, gjatë gjithë kohës sa ka qeverisur është munduar me tërë potencialin e saj që rruga Bukosh-Gllavatin, rrugë kjo nacionale dhe jo lokale të futet sa më parë në projektet e qeverisë dhe këtë e ka arritur në vitin e fundit të mandatit të z.Bajram Mulakut me këmbënguljen e madhe të deputetes znj.Xhevahire Izmaku.”, thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Vushtrri

Reagimi i plotë i PDK-së dega në Vushtrri:

“Shumë qytetarë të Vushtrrisë presin diçka tjetër nga kryetari i tyre i komunës, e kurrsesi manipulime dhe gënjeshtra, andaj Partia Demokratike dega në Vushtrri, i sqaron opinionit publik e me theks të veçantë Xhafer Tahirit se lajmi i cili doli sot në mediat elektronike, kinse ky i fundit është impenjuar drejtpërdrejt në realizimin e rrugës “R220” Bukosh – Gllavatin, rrugë e cila lidh 27 fshatrat e Komunës së Vushtrrisë, rrëzë Qyçavicës është totalisht i pavërtetë.

Dega e Partisë Demokratike në Vushtrri, gjatë gjithë kohës sa ka qeverisur është munduar me tërë potencialin e saj që rruga Bukosh-Gllavatin, rrugë kjo nacionale dhe jo lokale të futet sa më parë në projektet e qeverisë dhe këtë e ka arritur në vitin e fundit të mandatit të z.Bajram Mulakut me këmbënguljen e madhe të deputetes znj.Xhevahire Izmaku. Gjithashtu “Ura e Pestovës” dhe rruga Vushtrri – Nedakoc – Pestovë, si dhe autostrada Stanoc – Mitrovicë, lumi “Podrançe” e shumë projekte të tjera janë të planifikuara nga PDK, e cila ka ndarë dhe mjetet për realizimin e këtyre projekteve.

Njëherazi dhe projekti i Shtëpisë së Kulturës është projekt në vlerë rreth 1 milion euro, i përgatitur nga z.Bajram Mulaku, por që tash e disa muaj po mbahet peng nga Xhafer Tahiri, i cili nuk po e lejon fillimin e punimeve.

Por, le të na tregojë kryetari se cilat janë projektet e tij të planifikuara dhe se a ka filluar me realizmin e premtimeve të tij elektorale, sepse deri më tani është parë vetëm duke prerë shiritat e projekteve që janë realizuar nga PDK dhe këtë mund ta vazhdojë ta bëjë për vite me radhë, ngase udhëheqja jonë i ka lënë shumë projekte të finalizuara dhe shumë të tjera që presin të finalizohen.

Duam që të ritheksojme se në qeverisjen 10 vjeçare, PDK në Vushtrri ka realizuar 1791 projekte kapitale për qytetarët e Vushtrrisë në vlerën e përgjithshme prej 110 milionë euro.

Për fat të keq, e gjitha çfarë Xhafer Tahiri mund t’i ofrojë qytetarëve të Vushtrrisë është arroganca, mosbashkëpunimi dhe mungesa e theksuar e vizionit e asesi programi për zhvillimin e qytetit tonë. Andaj kur flitet për projekte kapitale dhe punë, Partia Demokratike i jep ujë në bisht të lugës!”