Reagon presidenca: Ekstremistët e lidhur me Vuçiqin dhe rusët tentuan ta sulmojnë kufirin në Jarinjë

Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me protestën e sotme të ekstremistëve serbë pranë kufirit në Jarinje.

Vela përmes dy reagimeve në rrjetin social Twitter, ka thënë se protestuesit tentuan që ta sulmojnë pikën kufitare në Jarinjë.

“Ekstremistët e krahut të djathtë të lidhur me regjimin e Vuçiqit dhe me organizata ruse, sapo tentuan që ta sulmojnë pikën kufitare në Jarinjë. Këto organizata duhet të ndalohen pasi janë vegla të Beogradit dhe Rusisë për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin.” – ka shkruar ai.

Në një reagim tjetër, Vela ka thënë se protestuesit kaluan nga thirrjet “nuk ka dorëzim”, te ato “le të tërhiqemi’.

“Kjo tregon se sa e organizuar ka qenë kjo protestë e regjimit të Serbisë. Kosova nuk do të bie për këtë teatër të krahut të djathtë të organizuar nga Beogradi dhe Moska. Integriteti ynë territorial është i paprekshëm.” – tha ai.