Reagon Shpend Ahmeti pas kritikave për gjendjen e rrugëve në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se dhjetëra kamionë e makineri të pastrimit janë angazhuar që nga fillimi i reshjeve dje për pastrimin e borës.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook tha se janë thirrur edhe kompani të tjera për të ndihmuar, gjersa shtoi se krejt kjo duke ditur që sot gati krejt qytetarët do të ju drejtohen kutive të votimit.

“Mund ti lexoni lajmet edhe nga kryeqytete evropiane kur bjen një sasi e tillë e borës. Edhe pse pastrohet vazhdimisht, prapë e dimë se pa u ndal reshjet nuk mund të pastrohet krejt.

Që nga mbrëmja kemi qenë në kontakt me KKZ për të zhbllokuar rrugët në fshatra”, tha ai.

Ahmeti shtoi se janë angazhuar qindra njerëz për t’i pastruar rrugët, kurse ka njoftuar se tani rrugët janë normalizuar.

“Pra, tërë natën qindra njerëz, e angazhim maksimal i të gjitha ekipeve për të pastruar rrugët.

Në ora 11 me përqindjen e qytetarëve që kishin dal në zgjedhje edhe na akuzuan se po pengojmë procesin thua se dikush ka porositur borën. Në ora 15 dalja është më e madhe se në 2019. Tani më edhe rrugët janë normalizuar.”

“Kritikat edhe do ti pranojmë edhe do ti analizojmë. Më shumë kamionë nuk kemi e as më shumë njerëz nuk kemi. Më shumë orë natën nuk i kemi pas e as ndikim në sasi të borës nuk kemi.

Me shpresën që të gjithë ata që duan të votojnë nuk janë penguar nga bora, i urojmë partive sukses në këto zgjedhje. Gjendja e njëjtë ka qenë dhe është edhe në qytetet ku ata qeverisin në mos më keq.

Qytetarët i falënderojmë për mirëkuptim e ne edhe sonte vazhdojmë me pastrim.”