Real Madridi me “një këmbë” në gjysmëfinale të Champions, Benzema e mund i vetëm Chelsean

Real Madridi ka bërë hap të madh përpara duke iu afruar gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve. Los Blancos mundën Chelsean në ndeshjen e parë.

Skuadra “mbretërore” triumfoi 1:3 përballë londinezëve në stadiumin “Stamford Bridge” në Londër.

Padyshim se më meritori për këtë triumf të spanjollëve ishte sulmuesi Karim Benzema që regjistroi “het-trik”.

Se Benzema ishte në formë të mirë këtë përballje u pa në minutën e 21-të kur realizoi golin e parë. Tre minuta më vonë, francezi e gjeti edhe golin e dytë duke i dhënë komoditet skuadrës së drejtuar nga Carlo Ancelotti.

Chelsea u mundua të kthehej në lojë në pesë minutat e fundit të fraksionit të parë kur Kai Havertz realizoi nga afërsia, por kjo ishte e tëra nga ta.

Një minutë pasi nisi pjesa e dytë, Benzema shfrytëzoi një gabim nga portieri Mendy dhe mbrojtësi Rudiger për ta kompletuar “het-trikun” dhe për t’ia dhënë fitoren e madhe Real Madridit në përballjen e parë.

Ndeshja e kthimit luhet një javë më vonë në “Santiago Bernabeu”.