Refuzimi ndaj Lajçakut e roli dominues i SHBA-së në dialog, Thaçi top lajm në mediat ndërkombëtare

Një deklaratë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që doli kundër rolit udhëheqës të emisarit të BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, ka marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.

Deklarata e Thaçit është shpërndarë sot nga “Reuters”, në një artikull ku ceket qëndrimi i presidentit se ai nuk do të marrë pjesë në një dialog që udhëhiqet nga Lajçak, transmeton lajmi.net.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, that ë martën se nuk do të marrë pjesë në bisedimet për normalizim të raporteve me Serbinë, të udhëhequra nga emisari i BE-së, duke bërë thirrje për një rol më përfshirës të SHBA-ve në dialog”, thuhet në raportimin e Reuters.

“Reuters”, shkruan se Kosova deklaroi pavarësinë më 2008, gati një dekadë pas luftës guerile që ndodhi në vend. Kosova më pas u pajtua për dialog të normalizimit të raporteve me Serbinë.

Agjencia Prestigjoze e lajmeve po ashtu në këtë artikull shkruan për emërimin e Lajçakut si emisar special i BE-së në procesin e dialogut.

Aty ceket se shteti prej nga vjen Lajçak, Sllovakia është ndër pesë vendet e BE-së që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.

“Para nesh kemi dy negociatorë nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën”, citon “Reuters”, fjalët e sotme të Thaçit.

Po ashtu, aty përmendet edhe deklarata e Thaçit ku kërkohet që SHBA-të të kenë rol aktiv në dialog, pas parasysh kontributin e saj në çlirimin e Kosovës, dhe kampanjën e NATO-s në bombardimet e 1999-tës.

Shkrimi i “Reuters” ndërkaq është shpërndarë me të madhe edhe në media tjera ndërkombëtare.