Reshitaj: Kurti përmes shkarkimeve po tenton ta kamuflojë heqjen e taksës

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj, në një intervistë për “Zërin”, duke i komentuar vendimet e kryeministrit Albin Kurtit për shfuqizimin e vendimeve të qeverive paraprake, si dhe shkarkimin e zyrtarëve të punësuar në borde të ndërmarrjeve publike, i ka cilësuar ato si lojë politike, që kanë për qëllim kamuflimin e paralajmërimeve për heqjen e taksës, shkruan gazeta “Zëri”.

Ish-ministrja e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, i ka cilësuar si të ngutshme veprimet e kryeministrit Albin Kurtit për shfuqizimin e vendimeve të qeverive paraprake, si dhe shkarkimin e zyrtarëve të punësuar në borde të ndërmarrjeve publike. Reshitaj në një intervistë për “Zërin” ka thënë se këto vendime kanë për qëllim kamuflimin e vendimeve të qeverisë “Kurti” për heqjen e taksës dhe për vendosjen e reciprocitetit karshi shtetit të Serbisë.

“Kjo nguti lë frikë për dy gjëra: e para, për ta kamufluar një vendim shumë të rëndësishëm të vendit tonë, siç është rifillimi i dialogut Kosovë – Serbi dhe e dyta, thjesht mosaftësia për të marrë një vendim të tillë çfarë është dhënë si mesazh gjatë fushatave parazgjedhore, reciprociteti, fillimi i këtij procesi. Gjithë këto shkarkime janë një lojë politike jo e shëndetshme sidomos për qytetarët tanë”, është shprehur Reshitaj. Më tutje ajo ka folur edhe për dështimet dhe për sukseset e qeverisë “Haradinaj” gjatë dy vjetëve mandat, duke përfshirë këtu mosheqjen e vizave, mosanëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si dhe nepotizmin e theksuar në institucione vendore.