Rifillon mbledhja e Këshillit të Sigurimit, Gërvalla nuk e heq flamurin e Kosovës

Ka rifilluar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas një ndërprerje për konsultime të brendshme që erdhi si pasojë e kërkesës së Rusisë ndaj përfaqësueses së Kosovës, Donika Gërvalla për të hequr flamurin e Kosovës nga kuadri ose të ndryshojë ambientin nga ku e mbanë mbledhjen.

Udhëheqësi i mbledhjes së OKB-së ka treguar se i ka thënë Gërvallës të marrë pjesë në këtë mbledhje në mënyrën si e ka filluar, shkruan lajmi.net.

Tensionet në mbledhje filluan kur përfaqësuesi i Rusisë, i kërkoi Gërvallës heqjen e flamurit të Kosovës.

“Ne nuk jemi kundër ndaj përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet por vetëm si territor, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë pamjen prapa ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha përfaqësuesi rus.

Kjo u kundërshtua ashpër nga Britania e Madhe që thanë se nuk shohin arsye të ndodh kjo.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet mbrapa për të vazhduar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.