Rikthimi i maturantëve në shkolla, Shahini: Rregullat që duhet të ndjekin

Maturantët do të rikthehen më 18 maj në bankat e shkollë, pas një periudhe shkëputje për shkak të pandemisë COVID-19.

Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, ministrja ka treguar disa nga rregulat që duhet të ndjekin nxënësit kur të jenë në ambientet e shkollës.

Rregulli i parë është vendosja e maskës para shkollës dhe rreshtimi në distancë 1.5-2 metra nga njëri-tjetri, distancë e cila duhet të mirëmbahet gjatë gjithë qëndrimit në shkollë.

Shahini thotë se “Edhe ulja në klasat tuaja është organizuar në një distancë të tillë mes njëri-tjetrit. Nëse keni nevojë të përdorni dezinfektues gjatë qëndrimit në shkollë, keni në bankat e shkollës nga një dezinfektues që mund të përdoret gjatë ditës”.

Ministrja theksoi  se në hyrje të secilës shkollë dhe në korridoret e secilit kat janë të vendosura postera me ilustrime të thjeshta të rregullave kryesore që duhet të ndiqen nga maturantët gjatë qëndrimit në shkollë.

Shahini u bën thirrje nxënësve që të respektojnë rregullin kryesor kundër kotonavirusit, larja e shpeshtë e duarve. Ajo sqaron se para tualeteve të shkollës janë vendosur postera me hapat që duhet të ndiqen për një larje të thellë dhe të mirë të duarve./ Opinion.al