Rivarrosen nëntë martirët e masakrës së Rezallës

Janë varrosur eshtrat e nëntë martirëve të masakrës së Rezallës të cilët janë gjetur dhe zhvarrosur nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë.

Ceremonia e rivarrimit u mbajt në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në Rezallë.

Në këtë ceremoni të rivarrimit, përveç familjarëve, kanë marrë pjesë edhe krerët shtetërorë dhe komunalë, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Skenderajt Bekim Jashari dhe Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se masakra e Rezallës ishte njëra ndër masakrat më të pamëshirshme të kryer nga policia dhe ushtria serbe.

Ai deklaroi se këto masakra dhe këto arkivole janë arkiva e cila dëshmon vazhdimisht se kush ishin vrasësit.

“Këta u vranë në njërën nga masakrat më të pamëshirshme nga policia dhe ushtria serbe. Për të qenë dëshmitarë disa ditë më vonë bënë krimin e dytë, lanë familjarët në ankth tash e disa vite. Këto masakra, këto arkivole janë arkiva e cila dëshmon vazhdimisht se kush ishin vrasësit. Fatkeqësisht edhe pas kaq shumë vitesh kriminelët e kësaj masakre nuk kanë dalë para drejtësisë ata ende enden të lirë pa u ndëshkuar”, tha Jashari.

Më 30 shtator në Kosovë arritën eshtrat e viktimave të masakrës së Rezallës të cilët janë zhvarrosur nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë.