Rregulla të reja për ata që duan të shkojnë për pushime në Mal të Zi

Qytetarët e Kosovës nuk mund të shkojnë në Mal të Zi, pa prezantuar para autoriteteve, një test negativ për koronavirus.

Qeveria e Malit të Zi publikoi të premten kufizimet e reja sa i përket hyrjes së shtetasve të huaj në vend.

“Mali i Zi prezanton metodologjinë e re për rihapjen e mëtejme të kufijve dhe vazhdon të mbajë në fuqi politikat e saj për të siguruar mbrojtje të shkallës së lartë nga Covid-19, si për qytetarët, po ashtu edhe për turistët. Këto masa hyjnë në fuqi të dielën, më 21 qershor”, thuhet në një postim në Twitter të Qeverisë së Malit të Zi.

Qeveria e Malit të Zi, përmes një harte ka ndarë në tri grupe kufizimet e reja: qytetarët që mund të hyjnë pa asnjë kufizim, qytetarët që duhet të posedojnë test negativ për koronavirus dhe shtetet, qytetarët e së cilave e kanë të ndaluar të hyjnë në Mal të Zi.

https://twitter.com/MeGovernment/status/1274035485225168896?s=20

Sipas kësaj harte, përveç shtetasve të Kosovës, që duhet të prezantojnë një test negativ për koronavirus para autoriteteve malazeze, të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe shtetasit e Shqipërisë dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës.

Nga shtetet e rajonit, shtetasit e Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut e kanë të ndaluar hyrjen në Mal të Zi.

Ditët e fundit, në Kosovë është rritur numri i të infektuarve me koronavirus. Numri më i lartë i të infektuarve brenda një dite u shënua më 16 qershor, përkatësisht u regjistruan 141 raste me koranavirus.

Hyrja në Mal të Zi pa kufizime mundësohet për ato shtete të cilat plotësojnë kushtet e duhura epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, përkatësisht kanë deri në 25 të infektuar në 100,000 banorë.