Rregullorja e BQK-së, Murati: Propaganda e Beogradit po krijon amulli dhe mjegull

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së 188-të të Qeverisë së Kosovës.

I pyetur për prishje të raporteve me faktorin ndërkombëtar rreth çështjes së rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, ai ka thënë si është propaganda e Beogradit që po krijon amulli dhe mjegull.

“Sa i përket qëllimit që synon të arrijë rregullorja e miratuar e BQK-së, por edhe shumë ligje të tjera që kemi miratuar ne, të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund. Besoj këtë e keni marrë edhe nga deklaratat e ambasadave. Nuk ka dilema sa i përket qëllimit që po duam të arrijmë, i vetmi dallim është si të dizajnohet periudha transitore e për të cilën e keni parë besoj që BQK-ja është e angazhuar tej mase në mënyrë që të ofrojë edhe linjën edhe këshillat apo përgjigjet në pyetjet e shpeshta sa i përket shqetësimeve të ngritura apo shpesh herë ndoshta edhe propagandës se disa prej elementeve kryesisht nga Beogradi që vijnë në mënyrë që të krijojnë amulli dhe mjegull sa i përket një çështjeje që është tërësisht teknike dhe ligjore”, ka thënë Murati.

Sipas tij, arsyeja kryesore pse Beogradi po e kundërshton këtë rregullore ka të bëjë për shkak se po i pengohet rruga për t’i financuar aktivitetet ilegale në Kosovës.

“Besoj e dini që arsyeja kryesore është që Beogradi heziton këtu ka të bëjë me natyrën se si janë menaxhuar ato fonde deri më tani. Unë isha para dy ditësh në Leposaviq, ishim atje për vizitë për të lansuar masën që sapo e përmenda të punësimit dhe më besoni se gjatë rrugës, shtëpitë që sheh dhe ambientin që sheh nuk e lë përshtypjen që kanë hyrë 200 milionë euro në vit, po e vërtetë se janë dedikuar 200 milionë, por jo të gjitha ato para kanë përfunduar te qytetarët. Një pjesë e konsiderueshme janë shfrytëzuar në financim të aktiviteteve ilegale dhe të grupeve të interesit me të cilat Beogradi ka pasur lidhje direkte”, është shprehur ministri Murati.