Rrëmuja e opozitës nga frika e reformës në drejtësi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se e gjithë rrëmuja që po ndodh në Shqipëri bëhet nga frika e reformës në drejtësi.

Në një bashkëbisedim me banorët e Njësisë Administrative Nr.1 në Tiranë, Rama tha se, reforma në drejtësi shkon sipas planit. Ne flasim këtu për të bërë shtet. Dhe kemi bërë gjithë këto hapa.

“Në Itali ka qëkur e ndjek unë politikën, që thonë do bëjnë reformën në drejtësi. Tani kaluan një ligj për blerjen e votës”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se me krijimin e SPAK do të shihet nëse politikanët janë njësoj apo jo.

“Nga pikëpamja e legjislacionit i kemi bërë punët. Tani do hyjmë në proces negociatash, do hapen letrat, do të bëhet SPAK, prokurori speciale për korrupsionin dhe tani të shohim jemi njësoj apo jo. Se pse s’kam frikë unë? Po të ishte ndryshe edhe ne adaptoheshim me këtë punë dhe bënim një pazar të madh. Ky është proces historik. Si ndërtohet shtëpia, ndërtohet dot për një javë?!”, – theksoi Rama.

Ai shprehu keqardhje për ata që i ndjekin ish-deputetët e opozitës sepse po përfundojnë burgjeve.

“Këta janë qesharakë. Mua më vjen keq për këta që shkojnë pas tyre dhe përfundojnë në burg. Se vajtën në Elbasan dhe Librazhd dhe organizatorët shpëtuan. Ndërsa ata që i ndoqën janë brenda”, deklaroi kryeministri.

Rama u shpreh se, ish-deputeti i PD, Bardh Spahia është shpallur në kërkim.

“Ky doktori i Shkodrës, ky trimi, është në kërkim, ka ikur. Qesharaku i Shkodrës që bën sikur po lufton për popullin dhe ikën. Edhe në Tropojë organizatorët shkojnë flenë në shtëpinë e tyre. Futen në mes dhe shtyjnë këta budallenjtë. Dhe pastaj thonë, jo po doli nga kontrolli s’isha unë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë tha se, “është fatkeqësi dhe për të ardhur keq që njerëzit, po shkojnë në burg për këta lloj vemjesh”./atsh