Rreth 12 mijë lëndë të pazgjidhura vetëm nga Gjykata e Apelit

Sistemi i drejtësisë në Kosovë po vazhdon të përballet me shumë sfida, kjo pasi gjykatat ka një mori lëndësh të papërfunduara.Gjykata e Apelit vitin 2019 e ka nisur me 12 mijë e 957 lëndë.Zëdhënësi i kësaj gjykate, Arbër Jashari ka thënë se gjatë vitit 2019 pa llogaritur muajin dhjetor, kanë pranuar edhe 14 mijë e 707 lëndë.

“Në punë gjithsej kemi pasur 27 mijë e 664 lëndë. Prej tyre kemi zgjidhur 15 mijë e 959. Ndërsa në punë vazhdojnë të mbesin edhe 11 mijë e 705”, ka thënë Jashari.Në këtë gjykatë kanë nisur punën 10 gjyqtarë të rinj.Si rezultat i punës së tyre por edhe të një angazhimi më të madh, Jashari ka theksuar se sivjet do të kenë rreth 5 mijë lëndë të zgjidhura më shumë se në vitin paraprak.

“Po ashtu në vitin 2020 planifikojmë të hymë me rreth 1 mijë e 500 lëndë më pak, që do të thotë se kemi zgjidhur të gjitha lëndët që kanë arritur brenda një viti dhe i kemi reduktuar numrin e lëndëve të prapambetura për 1 mijë e 500 lëndë”.Jashari ka theksuar se s’ka diskutim që procedurat janë përshpejtuar dukshëm sidomos tek lëndët përmbarimore, kontestet nga marrëdhëniet e punës, shpronësimet etj, pa i llogaritur edhe lëndët urgjente të cilat gjithmonë janë trajtuara me prioritet.

Ndërsa problem kryesor i Apelit mbeten lëndët civile, pasi një numër i madh i tyre janë të papërfunduara.Nga raportet e publikuara prej organizatave për sistemin e drejtësisë në Kosovës bëhet e ditur se gjyqësori dhe prokuroria vazhdojnë të mbetet dy nga institucionet me besimin më të ultë.Që nga paslufta, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka mbetur fusha më e kritikuar pasi në sirtarët e gjykatave të vendit vazhdojnë të mbeten qindra mijëra lëndë të pazgjidhura.