Rreth 27 mijë nxënës nesër i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë

Nxënësit e klasave të nënta nesër do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë, ku me pikët e arritura do të kenë mundësi të orientohen për në shkollat e mesme.

Këtij testi do t’i nënshtrohen rreth 27 mijë nxënës ku do të mbahet në 110 qendra të testimit.

Testi do të përmbajë 100 pyetje, ndërsa edhe këtë vit nuk do të ketë kriter të kalimit, por pikët e arritura do të përdoren për regjistrim në shkollat e mesme.

Zyrtari për sigurimin e cilësisë, standarde, vlerësim dhe licencim në Ministrinë e Arsimit Fatmir Elezi, ka bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet që nesër të mbahet testimi.

Testi do të ketë 100 pyetje nga lëndët si gjuha shqipe, gjuha angleze, matematika, pyetje nga shkencat shoqërore dhe ato natyrore.

Elezi deklaroi se nuk do të ketë kriter kalimi, por që pikët e mbledhura u shërbejnë nxënësve për t’u orientuar në shkollimin e mesëm.

Sa i përket administrimit të testit, Elezi bëri të ditur se është përgjegjësi e Drejtorive Komunale të Arsimit, por që edhe Ministria e Arsimit në çdo qendër do të ketë komisionar.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sipas Elezit pret që ky testim të jetë real dhe i besueshëm. Po ashtu, ai tha se presin që nxënësit të tregojnë njohuritë që kanë fituar gjatë shkollimi nëntëvjeçar.

Testimi i nxënësve do të fillojë në orën 10 dhe do të zgjasë deri në orën 13, ndërsa publikimi i rezultateve do të bëhet me 10 qershor.