Rrëzimi i qeverisë në shtator? / VV i përgjigjet deputetit të PDK-së

Deputeti i PDK-së, njëherësh anëtari i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hisen Berisha, ka paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë Kurti në shtator.

“Në shtator, Kuvendi i Republikës së Kosovë besoj se do t’i kryejë të gjitha procedurat e votëbesimit të kësaj qeverie, do ta rrëzojë qeverinë. Ne si kuvendarë të të gjitha partive duhet të punojmë fort për ta larguar ‘çeçenizimin’. Për ketë jam optimist!”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, thotë për Gazeta Blic se rrëzimi i Qeverisë është vetëm dëshirë e opozitës dhe se qeveria Kurti e përfundon mandatin në shtator të vitit 2024.

“Në shtator të vitit 2024 qeveria Kurti e përfundon mandatin. Kjo është vetëm dëshirë e opozitës, asgjë më shumë për rrëzimin e qeverisë”, shprehet Bajqinovci.

Ai për Gazeta Blic i ka quajtur dezinformata deklaratat nga opozita se deputetë të VV-së do të largohen nga partia.

Bajqinovci ka porositur opozitën që të mësohet me Qeverinë Kurti edhe për 2 vite e gjysmë në qeverisje.

“Tërë kohën opozita merret me dezinformata kinse nga LVV do të dalin herë dy deputetë, LDK thotë 8, kurse PDK 4, dhe e rrëzojmë qeverine KURTI. Le të koncetrohen dhe të mësohen edhe dy vjet e gjysmë me qeverinë Kurti”, deklaron deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.